Maqedonia e fundit në rajon në lidhje me bizneset aktive

    Ndonëse me sipërfaqe dhe popullsi mund të llogaritet si më e vogla në rajon, me përjashtim të Malit të Zi, Kosova mban vendin e parë në Ballkanin Perëndimor sa u përket bizneseve aktive dhe klimës së favorshme për investime të afaristëve, ndërkohë që Maqedonia mbetet e fundit. Madje, edhe pas Bosnjës.

    Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, numri i subjekteve afariste aktive në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar ishte 72.922 dhe krahasuar me vitin 2020, është ulur për 0.2 për qind. Rënia më e madhe me 2.6 për qind ka shënuar numri i subjekteve të biznesit aktiv në sektorin e Artit, Argëtimit dhe Rekreacionit.

    Në Kosovë, aktualisht janë të regjistruara 184.214 biznese aktive. Ndonëse ky numër duket shumë i lartë, 98 për qind e tyre janë mikrondërmarrje, kurse vetëm 82 biznese të mëdha. Kosova për disa vite është renditur edhe si ndër vendet më të përshtatshme në raport me kalimin e barrierave dhe procedurave për hapjen, regjistrimin dhe nisjen e një biznesi të ri, duke tejkaluar disa herë vendet e rajonit.

    Në Shqipëri, e cila renditet e dyta për bizneset aktive, numri i ndërmarrjeve është rritur gjatë periudhës së tetë muajve të këtij viti. Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë së Shqipërisë, në gusht të vitit 2022 numërohen 126.111 biznese aktive në vend, Autoritet në Shqipëri thonë se ambienti ekonomik i vendit është karakterizuar nga një ambient stimulues për biznesin, ndërsa po ndahen edhe subvencione dhe lehtësime tjera burokratike. Edhe Serbia shënon rritje nga viti në vit. Sipas të dhënave nga ky vit në Serbi ekzistojnë 124.260 kompani aktive të regjistruara. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Serbi, si dhe në vende të tjera, përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë.

    Në Bosnjë dhe Hercegovinë, aktualisht ka mbi 94 mijë kompani aktive. Sipas Agjencisë për Statistikë në Bosnjë, gjithsej janë të regjistruara 94.274 kompani dhe sipërmarrës aktive. Duke parë sipërmarrësit statistikisht aktiv, numri më i madh i sipërmarrësve (75.2 për qind) janë të shpërndarë në pesë fusha të ndryshme. Ndërkohë, numri i subjekteve afariste në Mal të Zi vitin e kaluar ishte 39.680.

    “Numrin më të madh të subjekteve afariste aktive vitin e kaluar e ka pasur në Podgoricë, 14.150, që paraqet 35.6 për qind të numrit të përgjithshëm. Më e vogla është në Petnjicë 31, gjegjësisht 0.1 për qind nga numri i përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e fundit të Statistikave në Podgoricë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    A do të ketë një zgjidhje të shpejtë kriza energjetike e Europës?

    Lajmi i rradhës

    Sindikatat thonë se punonjësit janë të rrezikuar nga masat e Qeverisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë