Në vitin 2025, Maqedonia e Veriut importoi produkte farmaceutike në vlerë prej rreth 311 milionë eurosh, ndërsa më shumë se gjysma e kësaj shume u importua nga vetëm pesë vende. Furnizuesi më i madh është Gjermania, nga e cila u importuan produkte farmaceutike në vlerë prej rreth 55.7 milionë eurosh. Pas saj renditet Sllovenia me 40.2 milionë euro, Franca me 21.9 milionë, Italia me 20 milionë dhe Holanda me 19.8 milionë euro, shkruan Faktor, përcjell Nistori.
Këto pesë vende së bashku përbëjnë rreth 157.6 milionë euro, ose pak më shumë se gjysmën e vlerës së përgjithshme të importit të produkteve farmaceutike në Maqedoni.
Të dhënat vijnë nga Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara dhe përfshijnë importin e produkteve që në statistikat e tregtisë ndërkombëtare regjistrohen si produkte farmaceutike. Ky grup përfshin ilaçet dhe preparate të tjera farmaceutike, prandaj shifra nuk u referohet vetëm produkteve që qytetarët i blejnë drejtpërdrejt në farmaci.
Importet janë rritur ndjeshëm edhe krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2024, vlera e produkteve farmaceutike të importuara arriti në rreth 267 milionë euro, që do të thotë se brenda një viti është rritur me afërsisht 44 milionë euro.
Gjermania mbetet burimi kryesor i produkteve farmaceutike për tregun maqedonas. Gjithashtu, është shënuar rritje e importeve nga Sllovenia, Italia dhe veçanërisht Holanda, e cila në vitin 2025 u rendit ndër pesë furnizuesit më të mëdhenj.
Gjatë vitit 2025, Maqedonia importoi mesatarisht produkte farmaceutike në vlerë prej rreth 852 mijë eurosh në ditë. Vetëm nga Gjermania, vlera mesatare ditore e importit arriti në më shumë se 152 mijë euro.
Rritja prej rreth 44 milionë eurosh brenda një viti tregon se fatura e importit të produkteve farmaceutike po rritet me shpejtësi. Në të njëjtën kohë, përqendrimi i importeve është i lartë, pasi afërsisht çdo euro e dytë e shpenzuar për këto importe shkon për produkte të blera nga pesë vende.
Me importe të përgjithshme në vlerë prej 311 milionë eurosh, produktet farmaceutike përbëjnë një zë të rëndësishëm në tregtinë e jashtme të Maqedonisë, ndërsa vetëm Gjermania dhe Sllovenia furnizojnë tregun me produkte në vlerë prej pothuajse 96 milionë eurosh në vit. /Nistori/







