KShZ-ja ka shpallur rezultatet fillestare jozyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale
KShZ-ja shpalli rezultatet fillestare jozyrtare të raundit të dytë të votimit në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 në 32 komuna dhe Qytetin e Shkupit.
Kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko, informoi se nga 98.25% e vendvotimeve të përpunuara në raundin e dytë, gjithsej 415,435 votues ose 41.76 përqind votuan në nivel kombëtar.
Në raundin e dytë, 93,207 votues votuan për kandidatin e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, Orce Gjorgievski, ndërsa 58,994 votues ose 36.26 përqind e totalit të votave votuan për kandidatin e E Majta, Amar Mecinovic.
Dalja në raundin e dytë për kryetarin e Qytetit të Shkupit ishte 35.05 përqind.
Sa komuna fituan partitë politike në vend!
Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), pas 96,94% të votave të numëruara, kandidatët e VMRO-DPMNE-së kryesojnë në Shkup dhe në 21 komuna. Koalicioni VLEN në katër, LSDM në 3, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) kryeson në një komunë, njëjtë si edhe ZNAM. Unioni i Romëve kryeson në Shuto Orizarë, përderisa një kandidat i pavarur kryeson në Strugë.
Maksim Dimitrievski i ZNAM-it e fiton Kumanovën
Kryetari aktual i Kumanovës, Maksim Dimitrievski së bashku me bashkëpartiakët nga Lëvizja ZNAM-Për Maqedoninë Tonë dhe partnerët e koalicionit nga VMRO-DPMNE po feston fitoren në sheshin e qytetit në Kumanovë.
Mickoski shpalli fitore edhe në Bërvenicë
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristjan Mickoski, shpalli fitore edhe në Bërvenicë, duke theksuar se kundërkandidati – emrin e të cilit nuk deshi ta përmendë – nuk arriti të triumfojë pavarësisht përpjekjeve për ndarje etnike.
“Nuk e meriton as t’ia përmendim emrin atij kundërkandidati… u përpoq të përfitonte në emër të ndarjeve kombëtare dhe etnike. Nuk ia doli. Është i mundur! Bërvenica mbetet me kryetarin tonë të komunës,” tha Mickoski
Filipçe: kemi gjashtë kryetarë komunash, nuk jap dorëheqje
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i përgëzoi qytetarët për votimin e tyre dinjitoz në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në një konferencë për shtyp. Ai tha se sipas të dhënave të përpunuara deri më tani, përveç 3 posteve të kryetarëve të komunave të fituara në raundin e parë, kanë fituar edhe në 3 të tjera: Qendër, Makedonska Kamenicë dhe Zrnovci.
Bajram Rexhepi e pranon humbjen: përgjegjësia është e imja, i uroj punë të mbarë kundërkandidatit
“Të dashur miq, gara zgjedhore në Tetovë mbaroi. Qytetarët e than fjalën e vet. Unë uroj kundërkandidatin dhe i uroj punë të mbarë. Përgjegjësia për këtë rezultat është krejtësisht e imja dhe e askujt tjetër. Zoti na ndihmoftë”, ka shkruar Rexhepi.
Durmishi: Kasami ka fituar me mbi pesë mijë vota dallim
“Verdiktin qytetarët e konfirmuan edhe me një . Qytetarët e Tetovës kanë vendosur që zhvillimi të ecë dhe Tetova të prosperojë. Tetova do ta merr kahjen që duhet. Në mandatin e parë, problemet i kemi përfunduar, ndërsa në mandatin e dytë do të merr hov zhvillimi”.
“Nuk ka pasur as shantazh, e asnjë incident. Qytetarët për herë të parë e dhanë verdiktin pa presion nga pushteti qendror dhe ai lokal”, tha Durmishi.
Dehari: rezultatet nuk janë të kënaqshme, ju lus për qetësi e durim
Kandidati i AKI-së për komunën e Kërçovës, Fatmir Dehari tha se rezultatet e para të zgjedhjeve lokale për Kërçovën nuk janë të kënaqshme, duke i lutur qytetarët për qetësi dhe durim.
Dehari tha se në ditët në vijim do të jap informacione me të hollësishme, ndërkohë që falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen.
Në Kërcovë, po prin VMRO dhe kandidati Aleksander Jovanovski me 55,08% derisa AKI me kandidatin Fatmir Dehari kanë 41,50%.
Deir tani janë numëruar 32% e votave.
Ademi: u ballafaquam me fushatë të pandershme, kemi parë blerje masive të votave
Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, në konferencë për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet lokale, tha se AKI në këto zgjedhje është ballafaquar me fushatë të pandershme.
Ai u bëri thirrje të gjithë komisionerëve të ruajnë votat dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve, 12 fluturime çarter zbarkuan në Ohër dhe Shkup
Gjatë fundjavës zgjedhore, kur po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, u regjistrua trafik dukshëm i shtuar në aeroportet në Ohër dhe Shkup, me gjithsej 12 fluturime çarter të jashtëzakonshme.
Frekuenca më e lartë ishte në aeroportin “Shën Pali Apostull” të Ohrit, ku gjashtë aeroplanë zbarkuan të shtunën, më 1 nëntor. Dy prej tyre ishin Airbus A320 me nga 180 vende secili nga Bazeli, dhe katër Embraer 190 me një kapacitet prej 110 vendesh mbërritën nga Cyrihu. Gjatë ditës së djeshme, dy fluturime të tjera çarter u realizuan në Ohër, një nga Cyrihu dhe një nga Bratisllava.
Deri në orën 17:00, jehona e votuesve është 38%
Sipas të dhënave të fundit që i bëri të ditura pasdite Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), deri në orën 17:00 në votim kanë dalë 38,2% e votuesve. Siç shtuan nga KSHZ-ja, të dhënat janë llogaritur bazuar në 96,94% të vendvotimeve të përpunuara.
Bërvenica dhe Kërçova me dalje më të madhe të votuesve, dalje më të ulët ka Bogovina
Komuna e Bërvenicës me 40.83% dhe ajo e Kërçovës me 40.06% kanë daljen më të madhe deri në orën 15:00. Kjo pasi, në këto dy komuna bëhet një “luftë e ashpër” nëse do të fitojë kandidat shqiptar apo maqedonas. Dalje më të ulët, nga ana tjetër në komunat shqiptare kanë Bogovina me 26.49% dhe Dibra me 26.72%.
15:45 – Dalja në votime deri në ora 15:00 është 30.26%
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në konferencë për shtyp këtë pasdite, deklaruan se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00 ishte 30.26%. Votuan gjithsej 208,571 qytetarë.
15:00 – MPB: zgjedhjet zhvillohen në atmosferë të qetë, nuk janë regjistruar shkelje të rënda të rendit dhe qetësisë publike
Zgjedhjet po zhvillohen në një atmosferë të qetë, të drejtë dhe demokratike në territorin e të gjithë shtetit. MPB-ja po ndërmerr masa dhe aktivitete në kuadër të kompetencave të saj me qëllim që procesi i përgjithshëm zgjedhor të zhvillohet pa pengesa dhe në mënyrë të sigurt. Deri tani nuk janë regjistruar shkelje më serioze të rendit dhe qetësisë publike. Janë regjistruar disa paraqitje për agjitacion gjatë votimit në disa vende, por pas marrjes së masave, deri në këtë moment, nuk janë konfirmuar pretendimet nga paraqitjet.
14:00 – KShZ: dalja deri në ora 13:00 është 19.96%
KSHZ ka njoftuar se deri në orën 13:00 kanë votuar 671,892 qytetarë që në përqindje është 19,96 jehona e votuesve. Në krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve, jehona e votuesve ishte më e lartë, 20,12%. Sipas KSHZ-së, në disa komuna ka rënie e në disa të tjera rritje të numrit të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
12:15 – Kasami: qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës
Bilall Kasami e ka shfrytëzuar të drejtën e votës sot në Tetovë. Ai i ftoi të gjithë bashkëqytetarët që gjithashtu të dalin të votojnë, pasi siç tha, pushteti lokal është më i afërti për kërkesat e tyre, njofton Nistori. “Shfrytëzova të drejtën time qytetare për të votuar për udhëheqësin e ardhshëm të komunës së Tetovës. Ftoj bashkëqytetarët e mi që të shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike, për të zgjedhur kryetarin që do të punojë për të ardhmen e tyre, për të realizuar projekte në të mirë të përmirësimit të jetës së tyre të përditshme”.
11:15 – KShZ: jehona e votuesve deri në ora 11:00 është 10.10%
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ), njofton se procesi zgjedhor në mbarë vendin po zhvillohet pa pengesa dhe se jehona e votuesve deri në ora 11:00 është 10,10%. “Sipas të dhënave të deritanishme të drejtën e votës deri në ora 11 e kanë realizuar 70 424 votues, do të thotë jehona e votuesve deri në orën 11:00 është 10.10 për qind”.
10:30 – Rreth 1.600 vëzhgues po monitorojnë zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut
Për të ndjekur raundin e dytë të zgjedhjeve lokale janë akredituar gjithsej 1.598 vëzhgues, prej të cilëve 933 vendas, 651 ndërkombëtarë dhe 14 gazetarë të huaj. Numrin më të madh të vëzhguesve vendas e ka Shoqata “Vake Up” – Shkup me 685 persona. Në monitorim marrin pjesë edhe organizata të tjera vendase si CIVIL, Democracy Lab Tetovë, INSOK, INKLUZIVA, Instituti Ohër, Eurothink dhe Kab Struga.
10:00 – KSHZ: Dalja në votime deri në ora 09:00 është 2.8%
Sipas KSHZ-së, deri në orën 09:00 kanë votuar 2.88 për qind ose 22,379 qytetarë. “Jehona e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale deri në orën 9:00 është 2.88%, gjegjësisht gjithsejtë kanë votuar 22.379 votues. Të dhënat janë në bazë të të dhënave të përpunuara nga 76% e vendvotimeve”, deklaroi Boris Kondarko, kryetar i KSHZ-së.
07:30 – Vendvotimet në Tetovë janë hapur në kohë, votimi vijon pa probleme
Nazmi Dauti nga KKZ-Tetovë tha se procesi i votimit në Tetovë po vijon në rregull pa ndonjë problem teknik apo të çfarëdo lloji. Dauti tha se shpreson që kështu të vijojë procesi deri në mbylljen e qendrave të votimit dhe se qytetarët ta shfrytëzojnë sa më shumë të drejtën e votës.
07:00 – Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet rrethi i dytë i Zgjedhjeve Lokale 2025.
Qytetarët do të zgjedhin kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa në tre vendvotime në Shutkë (Shuto Orizare) do të ketë rivotime për këshilltarë.
Në rrethin e dytë votohet për kryetar komune në këto komuna:Aerdrom, Bogovinë, Bërvenicë, Valandovë, Vinicë, Dibër, Debarcë, Demir Kapi, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Kumanovë, Lozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Qendër, Çeshinovë-Obleshevë, Çuçer Sandevë, Shuto Orizare, Dollnen, Dojran dhe Zrnovcë.
Të drejtë vote në këtë rreth të dytë kanë 1.013.375 votues.
Në komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë, nuk do të votohet për kryetarë komunash, pasi procedura do të përsëritet brenda 60 ditëve pas përfundimit të zgjedhjeve.
Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 1.598 vëzhgues, prej tyre 933 të huaj dhe 651 ndërkombëtarë.
Procesi i votimit fillon në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00.






