Brenda një dekade, 30 mijë nxënës më pak në Maqedoni

    Brenda dekadës së fundit, shkollat në vend kanë humbur rreth 30 mijë nxënës. Në reduktimin drastik kanë kontribuar sa migrimi, po aq edhe shifrat gjithnjë e në rënie të lindjeve në dekadat e fundit. Nëse në këtë vit shkollor Ministria e Arsimit dhe Shkencës regjistroi 255 mijë nxënës në ciklin e mesëm e të ulët, dhjetë vjet më parë, në vitin shkollor 2012/2013 gjithsej u regjistruan mbi 285 mijë nxënës. Që do të thotë se mesatarisht, në vit regjistrohen rreth 3000 nxënës më pak. Edhe numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës është më i vogël.

    “Në arsimin fillor, numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë po zvogëlohet nga viti në vit, po ashtu edhe numri i përgjithshëm i nxënësve. Gjatë dhjetëvje­çarit 2007-2017, numri është më i ulët për 13.5 për qind”, thuhet në raportin zyrtar të ESHS.

    E ndërsa në bankat e shkollave po ulen nga viti në vit gjithnjë e më pak nxënës, e kundërta ndodh me shifrat e personelit mësimdhënës që vjen duke u rritur. Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në shkollat fillore tani ka 2331 mësues më shumë, si dhe 877 profesorë më shumë në shkollat e mesme. Sa i takon nxënësve shqiptarë, kemi ulje prej 2202 nxënës gjatë periudhës katërvjeçare 2014/2015 -2018/2019.

    Nëse gjatë vitit shkollor 2014-2015 numëroheshin 61.608 nxënës në ciklin e ulët, në vitin shkollor 2018-2019 numëroheshin mbi 59 mijë nxënës. Gjatë vitit të kaluar shkollor dhe vitit aktual – në shumë shkolla në zonën e Likovës, Gostivarit, Tetovës… mësuesit ballafaqohen me reduktimin e numrit të nxënësve. Madje, ka shkolla në zona më të thella malore ku klasat numërojnë jo më shumë se 4 deri në 10 nxënës.

    “Në arsimin fillor, numri i gjeneratës hyrëse në arsimin fillor zvogëlohet nga viti në vit, si dhe numri i përgjithshëm i nxënësve. Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor në vitin akademik 2020/2021 është më i ulët për 8,4% krahasuar me vitin 2010/2011. Situata me nxënësit e regjistruar në arsimin e mesëm është gjithashtu në rënie. Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm, në vitin akademik 2020/2021, krahasuar me vitin 2010/2011, është ulur me 24.1%. Numri i studentëve të regjistruar në vitin 2020/2021 është ulur për 19.6% krahasuar me 2010/2011”, thuhet në publikimin “Maqedonia në numra”.

    Nëse ulja e numrit të nxënësve deri diku i atribuohet shifrave të ulëta të natalitetit dhe migrimit – shpërnguljet e familjeve jashtë vendit është arsyeja tjetër që përligj mospërputhjen e shifrave të nxënësve në fillim të vitit shkollor dhe në përfundimin e tij, që është më i vogël.

    ARSIMI FILLOR:

    2010/ 2011 – 205.817

    2015/2016 – 187.019

    2020/2021 – 188.625

    ARSIMI I MESËM:

    2010/2011- 95.154

    2015/2016 – 80.827

    2020/2021 – 72.228

    TOTALI:

    2012/2013 – 285 mijë nxënës

    2022/2023 – 255 mijë nxënës

    Lajmi Paraprak

    Radev: Futja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së është hap i rëndësishëm

    Lajmi i rradhës

    “Vetëm 8% e qytetarëve i besojnë drejtësisë në Maqedoni”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë