Kasami ende nuk deklarohet saktësisht për borxhin e Komunës së Tetovës

    Bilall Kasami – Kryetar i Komunës së Tetovës / Fotografia: Nistori

    Edhe pse paralajmëroi publikimin e borxhit të komunës brenda muajit korrik, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ende nuk ka njoftuar se si është gjendja me borxhin në komunë. I pyetur sot nga Nistori, ai tha se është ulur borxhi në Ndërmarrjen komunale dhe Ndërmarrjen e parkingjeve, por nuk përmendi shifra konkrete.

    Kasami deklaroi se në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare do të bëhet sërish analizë e borxhit, dhe analiza e njëjtë do të publikohet para qytetarëve, në mënyrë që të jetë më i besueshëm.

    Ai njoftoi se është në komunikim me USAID-in, organizatë e cila më herët është marrë me vlerësimin e transparencës dhe borxhin e komunave. Kasami deklaroi se pritet të arrijnë sërish marrëveshje me USAID-in dhe e njëjta të bëjë analizë të borxhit.

    “Në ndërmarrjen komunale dhe atë të parkingjeve e kemi përmirësuar pasqyrën financiare. Duke pasur parasysh faktin që ndjeshëm kemi ulur borxhin dhe kemi realizuar shumë projekte. Dhe e di se kur do të publikojmë se si është situata me borxhin jam i vetëdijshëm se do të ketë sulme se është apo nuk është real. Kemi komunikim me institucionet ndërkombëtare”.

    “Komunikojmë me USAIDIN të cilët janë marrë me vlerësimin e transparencën dhe borxhin e komunave, që të arrijmë marrëveshje dhe ata të bëjnë analizë të gjendjes financiare të komunës dhe ata ta publikojnë, në mënyrë që të jetë më e besueshme për qytetarët. Së shpejti do ta publikojmë borxhin, por që të jetë i besueshëm për qytetarët, do të jetë në bashkëpunim me USAID-in”, tha Kasami.

    Ndryshe, kryetari i Këshillit të Komunës Besar Durmishi, njoftoi se është formuar komision nga komuna për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e fundit në Tetovë. Durmishi gjithashtu njoftoi se në seancën e radhës së këshillit do të jetë në rend dite ribalanci i buxhetit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    NATO: Rusia thellon ndarjet dhe konfliktet në Ballkanin Perëndimor

    Lajmi i rradhës

    Hakerët grekë sulmojnë faqen e Ministrisë së Arsimit në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë