Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” sot e ka hapur fushatën parazgjedhore për Këshillin e Komunës së Tetovës.
Elmedina Abdullahi nga kjo iniciativë, tha se mbështetja e qytetarëve në periudhën e kaluar i ka motivuar që sërish të kërkojnë përkrahjen e tyre, raporton Nistori.
“Në gjashtë muajt e kaluar në Këshillin e Komunës së Tetovës dëshmoi që udhëhiqet nga interesat e qytetarëve dhe jemi të sigurt që me dinjitet kemi përfaqësuar kërkesat e qytetarëve. Do të na duhet edhe më shumë përkrahje për të vazhduar me realizimin e premtimeve tona”, tha mes tjerash Elmedina Abdullahi.
Një instalacion dekorues në qendër të Tetovës / Fotografia: Nistori
E pyetur nga Nistori për financimin e tyre, ajo tha se të ardhurat e tyre të gjitha i kanë dhuruar për bamirësi.
“Gjithashtu kemi bërë edhe shporta, jemi me fat që kemi qytetarë që janë bamirës. Ndërsa sa i përket harxhimeve janë nga financimet tona private si dhe dashamirëve të cilët na ndihmojnë vazhdimisht”, tha ajo.
Ndërsa sa i përket veprimeve e tyre politike pas zgjedhjeve, gjegjësisht për koalicionim, ajo tha se do të bëjnë koalicion vetëm me ata që punojnë në interes të qytetarëve.
Kjo iniciativë sot e shpalosi edhe moton e tyre për zgjedhjet e këshillit komunal që do të jetë “E dua Tetovën”.
Elmedina Abdulahi – Më mirë për Tetovën / Fotografia: Nistori
Ndryshe, deri tek zgjedhjet e parakohshme për këshillin komunal të Tetovës, erdhi si pasojë e mos votimit në afatin e paraparë ligjor të llogarisë përfundimtare të buxhetit komunal, pas çka erdhi edhe deri tek shpërbërja e këshillit.
Më 20gusht në Tetovë do të votohet në gjithsej 117 vendvotime, ndërsa numri i votuesve, pritet të jetë rreth 83 000./Nistori/