Heshtje për ambasadorët, Teuta Arifi nuk përgjigjet nëse është në garë

    Nëse dhe sa nga gjashtë nominimet për ambasadorë nga Qeveria, dështuan dhe nuk do të jenë ambasadorë, mbetet mister, megjithëse pritej që shumë shpejt të plotësohen vendet vakante në Bruksel, Paris, Vjenë, Uashington dhe qytete të tjera kyçe. Para pak kohësh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, konfirmoi se Teuta Arifi do ishte kandidate e mirë për ambasadore në BE, në Bruksel, duke pasur parasysh faktin se është ish-zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane. Ajo sot nuk iu përgjigj pyetjes së Alsat nëse ishte në garë për këtë karrige. Ministria e Punëve të Jashtme paraprakisht bëri të ditur se në Bashkimin Evropian nuk është dërguar fare kërkesë për pëlqim,  pasi vendi nuk ka pasur një propozim të harmonizuar.

    Është e paqartë nëse Qeveria e ka tërhequr propozimin me Arifin, i cili thuhet se është konfirmuar në një seancë të mbyllur në fund të marsit, apo për te nuk ka pasur pëlqim nga presidenti Stevo Pendarovski, i cili duhet të deklarohet brenda 30 ditëve nga zyrtarizimi i propozimit. Nga presidenca për Alsat konfirmuan se kanë marrë propozime, por nuk dhanë detaje.

    “Presidenti jep pëlqimin për propozimet e Qeverisë, në përputhje me vlerësimet dhe kompetencat e tij në politikën e jashtme. Emrat e kandidatëve, si dhe misionet për të cilat janë dhënë propozime, nuk publikohen deri në përfundimin e procedurës së referimit, në përputhje me Ligjin për Punët e Jashtme”, thonë nga  Kabineti i Presidentit

    Përveç Arifit në Bruksel, në media është propozuar edhe emri i kreut të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, si propozim për ambasador në Paris, por ministri i Jashtëm Osmani, në një nga deklaratat e tij të fundit, nuk i ka konfirmuar emrat.

    “A kanë marrë pëlqim Arifi, Dimovski dhe ambasadorët e tjerë të rinj?

    “Nuk mund t’i konfirmoj emrat, kështu që këto emra do t’i konsideroj si spekulime. Është e vërtetë që ka pasur gjashtë vendime të qeverisë, por ato janë informacione konfidenciale deri në arritjen e pëlqimit, ndërsa ende nuk ka pëlqim, sepse është një proces që zgjat”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme

    Edhe nga Qeveria thonë se nuk mund të zbulojnë nëse dhe çfarë përgjigje kanë marrë nga presidenti Pendarovski, sepse procedura është zhvilluar në seancë të mbyllur të qeverisë.

    Përveç Arifit, më herët në situatë të ngjashme ishte edhe profesori universitar Ljubomir Fërçkovski, për të cilin ishte nisur procedura për dërgimin e tij si ambasador në Uashington, por për të institucionet kompetente e ndërprenë procedurën dhe e emëruan në krye të misionit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. 

    Lajmi Paraprak

    TRAGJEDIA NË SPITALIN MODULAR NË TETOVË – Joveski: Nga java e ardhshme pritet të merret vendim i përshtatshëm

    Lajmi i rradhës

    BE-ja, garanci për të drejtat e bullgarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë