Mungesa e ekspertëve, arsye për ngecjen e procesit gjyqësor për rastin “Llaskarca”

    Foto: Borçe Popovski, Kolektif

    Procesi gjyqësor për rastin “Llaskarca” ka ngecur për gati një vit. Dhe kjo për shkak të mungesës së ekspertëve.

    Ende pritet super-ekspertiza e kërkuar nga Gjykata Penale e Shkupit vitin e kaluar. Kryetari i Gjykatës Penale, Ivan Xholev, tha se ka marrë informacione se nuk ka mjaft ekspertë për të punuar në kontrollet se si ka ndodhur tragjedia me autobusin e “Durmo Tours”, por edhe se ekspertët ende nuk e kanë këqyrur autobusin për të nisur me kontrollet, përcjell Nistori.

    “Informacionet e mia thonë se ngecja vjen nga mungesa e ekspertëve në atë fushë. Fatkeqësisht, shumë gjëra mungojnë në Maqedoni, do të bëj shaka, por me siguri mungojnë aeroplanët, tanket… mungojnë edhe njerëz të zotë. Por, këtë pyetje duhet ta parashtroni në zyrë, ku është ngecja?””, tha Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale – Shkup.

    Për dallim nga Xholev, bartësi i superekspertizës Damjan Mirçevski në një bisedë telefonike për Kanal 5 thotë se kanë mjaft ekspertë. Gjithsej shtatë ekspertë kanë analizuar të gjitha provat në rastin “Llaskarca”. Ai tha se për ekspertizën punojnë tre ekspertë trafiku dhe katër ekspertë mekanikë. Ai shtoi se kanë rreth një muaj që presin nga Gjykata Penale që t’u aprovohet kërkesa për inspektim të autobusit, e më pas do të tregojnë arsyet pse ka ndodhur aksidenti me autobusin “Durmo Tours”.

    Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, pret që anomalitë me raportet e ekspertëve të tejkalohen me Ligjin e ri për raportet e ekspertëve, i cili do të shqyrtohet në Qeveri javën e ardhshme.

    “Janë konstatuar defekte dhe mendoj se kjo zgjidhje e re ligjore do të jetë zgjidhje për të gjitha problemet e akumuluara deri më tani. Nga mënyra se si do të krijohet regjistri i ekspertëve, si do të merret licenca etj. Pra, rregulla të sakta se si do të bëhet ekspertiza në të ardhmen”, tha Nikola Tupançevski, ministër i Drejtësisë.

    Gjykata Penale ka saktësisht një vit që nuk ka mbajtur asnjë seancë gjyqësore për rastin “Llaskarca”. Janë shterur të gjitha provat, përveç ekspertizës së pavarur të kërkuar, pas kryerjes së tre ekspertizave të ndryshme nga prokuroria dhe mbrojtja se si ndodhi aksidenti me autobusin e “Durmo Tours” në shkurt 2019.

    Vitin e kaluar, në nëntor, gjykata iu drejtua tre fakulteteve për superekspertizë, të cilët e refuzuan gjykatën pasi nuk kishin mjaftueshëm ekspertë. Zgjidhja ligjore e rastit “Llaskarca” ka më shumë se tre vjet që është në pritje.

    Ndryshe, në aksidentin që ndodhi në autostradën Shkup – Tetovë, jetën e humbën 16 persona./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sërish alarm për bombë në një shkollë në Shkup, Spasovski thotë se janë skenar i sajuar

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Tetovës me rregullore të re, veturat e parkuara keq do të merren pa lejen e policisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë