Pas “luftës” disa orëshe, lokalizohet zjarri në Tetovë

    Fotografia: Fisnik Xhelili

    Është lokalizuar zjarri, i cili sot shpërtheu në një fabrikë për materiale ndërtimore në Tetovë. Pas luftës disa orëshe, më në fund zjarrfikësit e Tetovës, të ndihmuar nga ata të Gostivarit, Kumanovës dhe qyteteve tjera, kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin i cili pati përmasa të mëdha.

    Për momentin zjarri është aktiv vetëm në një pjesë të depos të fabrikës, ku shpërtheu zjarri. Përveç zjarrfikësve të disa qyteteve, në shuarjen e zjarrit kanë ndihmuar edhe Ushtria e Maqedonisë, Ministria e Mbrojtjes, Qendra për Menaxhim me Kriza dhe institucione tjera.

    Si pasojë e këtij zjarri, një person mori lëndime të lehta, ndërsa tre të tjerë ishin me asfiksim, për shkak të tymit, raporton Nistori.

    Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në një paraqitje për media theksoi se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa shtoi se çështja e hetimeve do të jetë nën kompetencë të institucioneve përkatëse.

    “Falënderoj të gjithë ata të cilët ishin pjesë aktive të ballafaqimit me këtë fatkeqësi me të cilën u ballafaqua Tetova dhe Pollogu, fillimisht të gjithë bizneseve private që ishin në vendin e ngjarjes, por kryesisht ata të cilët ishin në krye të detyrës njësiti i zjarrfikësve të Tetovës, pastaj edhe njësiti i zjarrfikësve të Komunës së Gostivarit që u bashkëngjit, Komuna e Kumanovës dhe nga Qyteti i Shkupit. Gatishmëri për të na u bashkangjitur shprehën edhe Komuna e Strumicës dhe Manastirit, por për shkak të largësisë vlerësuam se nuk ka nevojë”, deklaroi Bilall Kasami.

    Ai gjithashtu ju bëri thirrje nxënëve që nesër të kthehen në procesin edukativo arsimor, të cilët sot për shkak të ndotjes së ajrit u liruan nga shkollimi.

    I pyetur nga Nistori për vonesën e intervenimit të Qendrës për Menaxhim me Kriza me helikopterin e tyre, Kasami tha se procedurat në vend janë të ndryshme, ndërsa theksoi se e kanë bërë maksimumin për ta menaxhuar situatën e sotme.

    Ndërsa në lidhje me këtë çështje, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza Stojançe Angellov, deklaroi se nuk ka pasur vonesë në intervenimin me helikopter, me çka përmendi një rast në SHBA, ku sipas tij, autoritetet kanë vepruar më vonë se në Maqedoni.

    Ndryshe, përveç personave që u lënduan lehtë, nuk ka pasur raste të tjera, kurse dëmi material i kompanisë vlerësohet të jetë i konsiderueshëm./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Nga qershori në Shkup fillon interneti 5G

    Lajmi i rradhës

    Pas reshjeve të shiut qytetarët e Tetovës pastrojnë shtëpitë e tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë