Raporti i BE-së për RMV-në: Duhet të zbatohen ligjet, vendi mesatarisht i përgatitur

    Nevojitet zbatim efektiv i legjislacionit ekzistues, në vend të nisjes së nismave ad hoc, thuhet në draft-raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë. Puna e Komisionit Kundër Korrupsionit është vlerësuar mirë.

    Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht sipas pothuajse të gjitha kritereve, thuhet në draft-raportin e Komisionit Evropian që do të publikohet nesër, njofton Radio Evropa e Lirë, përcjell Nistori. Progres i mirë vërehet vetëm në kriteret ekonomike dhe ka progres shumë të mirë në përputhshmërinë e vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.

    Në raport thuhet se puna e Kuvendit u ndërpre nga polarizimi politik, i cili vonoi miratimin e shumë ligjeve. Duhet planifikim dhe konsultim i mirë për të kufizuar legjislacionin e shpejtë dhe pyetjet parlamentare duhet të jenë më të shpeshta.

    “Duhen përpjekje të vendosura për të ndërtuar momentum për reforma dhe për të ecur përpara në procesin e negociatave me BE-në. Duhet fokus i veçantë për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit ekzistues, në vend të nisjes së nismave ad hoc”, thuhet në raport.

    Marrëveshja e Ohrit vazhdon të zbatohet dhe marrëdhëniet ndëretnike vlerësohen të qëndrueshme.

    Më tej thuhet se shoqëria civile vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes dhe në monitorimin e aktiviteteve të shtetit. Megjithatë, nevojitet transparencë dhe gjithëpërfshirje më e madhe në vendimmarrje.

    Në raport thuhet se janë bërë reforma në shërbimet e sigurisë, por duhet të forcohet kapaciteti për mbikëqyrjen parlamentare të punës së shërbimeve sekrete.

    Më tej theksohet se është vonuar miratimi i ligjeve për zyrtarët administrativë dhe ligjit për të punësuarit në sektorin publik.

    Për sa i përket respektimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së nga ana e Maqedonisë, raportohet për përparim shumë të mirë, me anë të së cilës vendi është plotësisht në anën e BE-së në lidhje me pushtimin rus në Ukrainë.

    “Me këtë, Maqedonia e Veriut ka treguar se mund të jetë një partner i besueshëm”, thuhet në raport.

    Sistemi juridik ka arritur shkallë të caktuar gatishmërie dhe është mesatarisht i përgatitur. Ka nisur përgatitja e një reforme të re në drejtësi, e cila sipas raportit, duhet të jetë më sistematike. Gjyqësori ka demonstruar përkushtimin e tij për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij, thuhet në raport.

    Vendi ka arritur një nivel të caktuar përgatitjeje dhe është mesatarisht i përgatitur për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

    “Lëndët e hapura nga ish- Prokuroria Speciale Publike vazhduan, duke vendosur përgjegjësinë për përgjimet e paligjshme”, thuhet në raport.

    Thuhet se për një numër të madh rastesh ka aktgjykime të shkallës së parë, ndërsa për zyrtarë të lartë të pushtetit janë hapur procedura.

    Më shumë para dhe njerëz nevojiten në prokurorinë publike dhe njësitë kundër korrupsionit, përfundon raporti.

    Gjithashtu thuhet se nevojiten përpjekje më të mëdha për të forcuar efikasitetin në luftën kundër pastrimit të parave./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Alternativa: Do të jemi bashkëpunëtorë nëse ASH-ja bëhet pjesë e Qeverisë

    Lajmi i rradhës

    Mickoski: Teprica e energjisë elektrike duhet t’u ofrohet kompanive dhe jo të vidhet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë