Reagime në Maqedoni për situatën në veri të Kosovës, Pendarovski thotë se e ndjek me vëmendje

    Rreth situatës së krijuar në veriun e Kosovës, ka pasur reagime edhe në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.

    Presidenca e Maqedonisë ka thënë se është duke e ndjekur me vëmendje situatën në veri të Kosovës.

    “Presidenti Pendarovski rregullisht e përcjell situatën në Kosovë, si fqinji ynë. Një vlerësim specifik sesi zgjidhja në Kosovë do të ndikojë në situatën e sigurisë në vend, do të mund të jepet në përputhje me rrjedhën e më tejshme të zhvillimeve, marrë parasysh se Qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë zbatimin e masave për një muaj”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë nga kabineti i presidentit.

    Ndërsa ish-ministri i Punëve të Brendshme në këtë shtet, Pavle Trajanov, ka thënë se nuk beson që do të ketë konflikt më të gjerë, pas tensioneve në veri.

    “Është UNMIK-u, janë forcat e NATO-s, kështu që nëse ndërhyjnë ata do të ishte një konflikt i përmasave më të gjera, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por mund të përfshihet edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, kështu që mendoj se do të parandalohet”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, kryetari i partisë maqedonase, “E majta” (Levica), Dimpatar Apasiev, ka shprehur mbështetjen e tij për serbët e Kosovës.

    “Mbështetje për serbët e shtypur në Kosovë dhe Metohi”, shkroi Apasiev në Facebook.

    Apasiev, partia e të cilit është e përfaqësuar me dy deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, njihet si mbështetës i Rusisë dhe kundërshtues i politikave të vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.

    Ai ka theksuar në vazhdimësi se nëse vjen në pushtet, do të angazhohet për shfuqizimin e njohjes së Kosovës nga Maqedonia e Veriut.

    Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 10 tetor të vitit 2008.

    Ndryshe, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

    Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

    Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon rritja e çmimeve të ushqimeve, pavarësisht masave qeveritare

    Lajmi i rradhës

    Mickoski thotë se nuk do të heqin dorë nga vendimi për referendum

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë