SHBA mbetet mik i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut, thotë Escobar

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në përpjekjet e tyre reformuese me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimeve evropiane që kanë filluar”.

    Këtë e tha sot zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar. Në konferencën e sotme kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Escobar theksoi se Maqedonia e Veriut është një partner i madh bilateral dhe një aleat i shquar në NATO.

    Ai përsëri theksoi mesazhin nga Dialogu Strategjik, që SHBA-ja e pati me Maqedoninë e Veriut në qershor në Uashington.

    “Qëndrimi ynë nga përvoja me Maqedoninë e Veriut është se ajo është një partner i shkëlqyer, mik besnik dhe mbështetës i fortë i komunitetit transatlantik. Maqedonia e Veriut me meritë filloi lëvizjen në procesin e tyre drejt Evropës. Ata bënë reforma të vështira dhe vazhdojnë të bëjnë reforma të vështira”, tha Escobar.

    Ai theksoi se për Shtetet e Bashkuara çështja e gjuhës dhe identitetit kulturor të Maqedonisë së Veriut nuk është çështje dhe i bëri thirrje vendit që të vazhdojë dialogun konstruktiv me fqinjët e saj dhe të ecë sa më shpejt në procesin e anëtarësimit.

    “SHBA mbetet një partner i fortë në inkurajimin dhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në atë proces. Dhe së fundi, vendi me siguri do të jetë i suksesshëm në atë proces”, tha Escobar.

    Lajmi Paraprak

    Përplasje mes institucioneve në Shkup, sistemi i drejtësisë në krizë

    Lajmi i rradhës

    Torbeshët kërkojnë të futen në preambulë si popull i veçantë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë