Shteti nuk ka kontroll si kthehen paratë nga masat ekonomike gjatë pandemis, kjo do t’i kushtojë 23 milionë euro

    Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) në ueb-faqen e vet e publikoi raportin përfundimtar të revizionit të kryer të suksesit në temën “Masa dhe politika të ndërmarra për mbështetjen e punësimit dhe profesioneve të prekura nga kriza shëndetësore-ekonomike e shkaktuar nga Kovid 19”, në të cilën theksohet se si rezultat i gjendjes së përcaktuar janë shkaktuar të ardhura të zvogëluara në Buxhetin në vlerë të përgjithshme prej 1.437.005 mijë denarë, respektivisht rreth 23 milionë euro.

    “Qëllimi i revizionit të kryer është që të japë përgjigje në pyetjen: “Nëse masat për mbështetje financiare të punësimit dhe profesioneve të prekura nga kriza shëndetësore-ekonomike nga Kovid-19 janë krijuar, realizuar, kontrolluar, monitoruar në mënyrë efikase, si dhe nëse është siguruar njoftim përkatës për efektet nga masat e ndërmarra?” në drejtim të rritjes së efektivitetit të masave dhe politikave për përballje të suksesshme me pandeminë nga Kovid-19 dhe mbështetja e vendeve të punës. Me këtë revizion të suksesshmërisë kemi përfshirë 36 për qind të mjeteve të përgjithshme të planifikuara për vitet 2020 dhe 2021 përmes Programit qeveritar P-Masa për përballje me Kovid-19 krizën, gjë që paraqet 12.637.534 mijë denarë (rreth 205 milionë euro) prej të cilëve janë realizuar 11.512.447 mijë denarë. Periudha që ishte përfshirë me revizionin e suksesshmërisë është prej 11.03. të vitit 2020 deri më 31.01. të vitit 2022, ndonëse disa fusha të caktuara, çështjet dhe ngjarjet janë përfshirë në mënyrë vijuese deri në ditën e njoftimit për revizion të kryer”, thonë nga ESHR-ja.

    Aktivitetet revizore, shtojnë, janë të orientuara drejt fushave si vijon: Kornizë juridike dhe krijim të masave dhe politikave për mbështetje të punësimit dhe profesioneve të prekura nga kriza shëndetësore-ekonomike e shkaktuar nga Kovid-19; Procedura për ndarjen dhe realizimin e masave për mbështetje financiare të punësimit dhe profesioneve të prekura nga kriza shëndetësore ekonomike; dhe Mekanizma të kontrollit, monitorim dhe vlerësim të rezultateve të arritura.

    “Me revizionin është marrë bindje e arsyeshme se krijimi i masave është zbatuar në mungesë të planifikimit strategjik me qëllime dhe tregues të përkufizuar qartë për suksesshmëri. Revizioni përcaktoi se institucionet në shtet nuk kanë në dispozicion të dhëna të plota në bazë të mbështetjes së kthyer financiare sipas shfrytëzuesve në afatet e përcaktuara dhe shumë në buxhetin. Sipas analizës së revizionit, punëdhënësit dhe personat fizikë shfrytëzues të masave për subvencionimin e kontributeve dhe pagesën e pagave kanë kthyer vetëm 29 për qind të detyrimit të përllogaritur për kthim, që ka për efekt më pak mjete të kthyera në Buxhet në vlerë prej 988.307 mijë denarë. Përveç kësaj, për arsye se nuk është parashikuar mënyrë e kontrollit dhe kthimit të mjeteve të ndara për mbështetje të njëtrajtshme financiare të personave fizikë dhe juridikë nga veprimtari të veçanta ekziston rreziku që subjektet juridike që nuk i kanë përmbushur kushtet të mos i kthejnë mjetet në Buxhetin në vlerë prej 448.698 mijë denarë. Situatat e përmendura shkaktojnë të ardhura të zvogëluara buxhetore në vlerë të përgjithshme prej 1.437.005 mijë denarë, respektivisht rreth 23 milionë euro, bëjnë të ditur nga ESHR-ja.

    Nga Enti përkujtojnë se kriza e shkaktuar nga përhapja e virusit korona Kovid-19 shkaktoi humbje të vendeve të punës dhe humbje të mëdha të të ardhurave të punëtorëve që ka ndikim në uljen e konsumit të mallrave dhe shërbimeve.

    “Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia për punësim nga fillimi i pandemisë deri më 31.12. të vitit 2020 vendet e tyre të punës i humbën gjithsej 17.022 punëtorë. Mungesë të analizave dhe vlerësimeve të shkruara gjatë krijimit të masave për mbështetje të punësimit në procesin e vendimmarrjes, dobësitë dhe paqartësitë e përcaktuara në dispozitat me fuqi të ligjit dhe ligjet e miratuara në të cilat janë rregulluar kushtet, mënyra dhe procedura e dhënies ndikojnë në efikasitetin e zbatimit, ndjekjen e realizimit të masave dhe ruajtjen e vendeve të punës”, theksojnë nga ESHR-ja.

    Porosisin se të dhënat e paplota për numrin e punëdhënësve që e kanë përmbushur/nuk e kanë përmbushur detyrimin për kthimin e mbështetjes financiare në afatet e përcaktuara dhe shumën në Buxhet ka për efekt më pak mjete të kthyera dhe realizim të të hyrave më të vogla në Buxhetin.

    “Me revizionin e kryer është përcaktuar se ekziston nivel i lartë i realizimit të masave të përfshira për mbështetje financiare për pagesën e pagave dhe mbështetje të profesioneve, por edhe se ekzistojnë edhe dallime në të dhënat për numrin e shfrytëzuesve dhe mjeteve të aprovuara/paguara të shfrytëzuesve që prezantohen nga institucione të ndryshme kompetente. Ekziston mungesë e mënyrës gjithëpërfshirëse, të harmonizuar dhe të integruar në mënyrë të ndërsjellë për udhëheqjen e evidencës për mbështetjen e aprovuar dhe realizuar financiare në Qeveri sipas masave, si dhe qasje e paharmonizuar për informim në raport me realizimin e masave që e zvogëlon transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve kompetente në shpenzimin e mjeteve dhe nuk krijon kushte për matjen e efekteve nga të njëjtat”, theksojnë nga ESHR-ja.

    Pas realizimit të zbatuar të masave për mbështetje financiare të punëdhënësve për pagesën e pagave, siç shprehen, DAP-i ka përcaktuar se një numër i caktuar i punëdhënësve – shfrytëzues të mbështetjes nuk u kanë paguar pagë të punësuarve.

    “Numri i punëdhënësve që nuk kanë paguar pagë deri në janar të vitit 2022 arrin 135 për gjithsej 435 të punësuar për shumën e mbështetjes së shfrytëzuar prej 6.317 mijë denarë, që ka për efekt të qenët në dispozicion të padedikuar me mbështetjen e dhënë financiare. Vonesa dhe përfshirja e vogël e kontrolleve të zbatuara në terren prej 0,53 të shumës së ndarë të mbështetjes financiare, mënyra e përzgjedhjes së punëdhënësve për kontroll, si dhe ekipimi i pamjaftueshëm kadrovik i institucioneve, krijojnë rrezikun që një pjesë e punëdhënësve të kenë shfrytëzuar mjete nga mbështetja financiare pa përmbushjen e kushteve të parashikuara me urdhëresat dhe ligjet”, bëjnë të ditur nga ESHR-ja.

    Sipas tyre, mangësitë e përcaktuara dhe efektet e arritura nga masat për mbështetje financiare të punësimit dhe profesioneve të prekura nga kriza shëndetësore-ekonomike nga Kovid-19 bëjnë të ditur se nevojitet përmirësim i efikasitetit të institucioneve kompetente në planifikimin dhe zbatimin e masave të ardhshme për ruajtjen e vendeve të punës dhe uljen e pasojave ekonomike nga pandemia.

    Rekomandojnë se është i nevojshëm rregullimi juridik i gjendjes së jashtëzakonshme dhe miratimi i dokumenteve strategjike për përballje me pasojat në kushtet e pandemisë; planifikimin dhe miratimin e masave të mbështetet në analizat e kryera dhe treguesit e përkufizuar për matjen e suksesshmërisë së masave; vendosja e evidencës gjithëpërfshirëse dhe të kompletuar për mbështetjen e aprovuar dhe paguar financiare sipas masave dhe qasje të harmonizuar për informim në raport me realizimin e të njëjtave; udhëheqje të evidencës për mbështetje të kthyer financiare sipas shfrytëzuesve dhe masave, dhe ndërmarrje të masave për arkëtimin e mjeteve në bazë të aktvendimeve të lëshuara për kthimin e mbështetjes financiare në buxhetin e shtetit; dhe përfshirje të rritur të kontrolleve të zbatuara te shfrytëzuesit e mbështetjes financiare dhe matje të efekteve nga masat e zbatuara.

    Për përballje me pasojat nga kriza e shkaktuar nga virusi Kovid-19, Qeveria në periudhën nga 19.03. të vitit 2020 deri më 20.04. të vitit 2021 ka miratuar gjashtë pako të masave ekonomike. Me revizionin janë përfshirë planifikimi dhe realizimi i gjashtë pakove të masave ekonomike të miratuara nga Qeveria e viteve 2020 dhe 2021 në pjesën e masave për mbështetje financiare për subvencionimin e kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm social, mbështetja financiare e punëdhënësve për pagesën e pagave, mbështetja financiare për persona fizikë që ushtrojnë veprimtari të mëvetësishme, kompensimi në para për të gjithë personat që janë mbetur pa punë nga 11 marsi deri më 30 prill të vitit 2020, si dhe masa për mbështetjen e profesioneve të prekura nga kriza shëndetësore ekonomike – mbështetje për sportistët, artistët e mëvetësishëm dhe punëtorët kulturorë.

    Lajmi Paraprak

    Korrupsion me tenderat e Covid-19

    Lajmi i rradhës

    Vazhdon rritja e çmimeve të bukës, prodhuesit arsyetohen me krizën energjetike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë