Maqedonia me ligj ndalon formimin e shoqatave dhe partive me emra dhe ideologji kontestuese

    Deputetët e pushtetit dhe opozitës në Kuvend njëzëri dhanë mbështetje me procedurë të shkurtër të miratohen zgjidhjet ligjore me të cilat ndalohet formimi i shoqatave dhe partive me emra dhe ideologji kontestuese.

    Me 84 vota “për” dhe asnjë kundër apo abstenim, deputetët e pushtetit dhe opozitës dhanë mbështetjen e tyre pas procedurës së shkurtuar për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqata dhe fondacione, të parashtruar nga VMRO-DPMNE. Por edhe njëzëri, me gjithsej 76 vota “pro”, është dhënë përkrahja pas procedurës së shkurtuar për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për partitë politike, të parashtruar nga deputetët e LSDM-së.

    Propozimin e ka arsyetuar Rashela Mizrahi nga VMRO-DPMNE, duke theksuar se duhet t’i jepet fund hapjes së shoqatave dhe fondacioneve, programet, qëllimet, aktivitetet dhe veprimet e të cilave kanë për qëllim rrënimin me dhunë të rendit kushtetues të vendit, nxitjen dhe thirrjen e agresionit ushtarak, si dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore, fetare ose intolerancës tjetër, urrejtjes, gjenocidit, shfarosjes, përhapjes ose mbështetjes, nxitjes dhe miratimit të fashizmit, nacizmit, nacionalsocializmit dhe Rajhut të Tretë, si dhe ndërmarrje të aktivitete që lidhen me terrorizmin ose aktivitete në kundërshtim me Kushtetutën.

    “Në shtatë muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë të hapjes së të a.q. klube kulturore të emërtuara sipas figurave të diskutueshme, nazistë dhe fashistë. Ky ligj duhet t’i japë fund hapjes së shoqatave dhe fondacioneve të tilla. Me ndryshimet, propozohet që emrat, mbiemrat, pseudonimet, shkurtesat dhe inicialet e personave të cilët në çdo bazë, mënyrë apo formë në të kaluarën kanë qenë të lidhur me intolerancë racore, fetare, kombëtare, etnike dhe të tjera, intoleranca, urrejtja, gjenocidi, ekstremizmi, përhapja ose mbështetje të fashizmit, nacizmit, nacionalsocializmit dhe Rajhut të Tretë”, tha Mizrahi.

    Sipas tekstit të propozuar, organizatat, shoqatat, fondacionet, aleancat dhe format e tjera të asociimit të regjistruara në përputhje me dispozitat e Ligjit për shoqata dhe fondacione janë të obliguara që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore, të harmonizojnë emrin dhe/ose titullin, qëllimet dhe aktivitetet sipas dispozitave të përcaktuara.

    Kuvendi, po ashtu njëzëri, me gjithsej 76 vota “pro”, pa asnjë kundër apo abstenim, ka dhënë mbështetje pas procedurës së shkurtuar për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për partitë politike, të paraqitur nga deputetët e partive në pushtet.

    “Në kushte të tilla provokimesh që shkaktojnë ndjenja tejet negative te qytetarët, sugjerojmë që ligji të kalojë në procedurë të shkurtuar. Absolutisht, nëse nuk ka dyshime, ne nuk jemi kundër asnjë asociacioni, por duhet të mbrojmë themelet tona, që janë vlera antifashiste. Ne propozojmë që partitë politike në programet e tyre të mos kenë për qëllim nxitjen e urrejtjes, intolerancës etnike apo ndonjë tjetër, përhapje të fashizmit, nacizmit”, tha koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitreski, duke sqaruar Propozimin.

    Ndryshimet e propozuara ligjore të dy partive vijnë pas hapjes së klubeve bullgare në vend me emrat “Vanço Mihajllov” më 16 prill në Manastir dhe “Mbreti Borisi i Treti” më 7 tetor në Ohër. Ministria e Drejtësisë para disa kohësh mori detyrën për hartimin e ligjit të ri për shoqatat dhe organizatat qytetare, për shkak të, siç vlerësoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, legjislacionit ekzistues liberal për themelimin e organizatave dhe shoqatave qytetare.

    Hapja e klubit u dënua nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, të cilët e cilësuan si provokim që dëmton bashkësinë bullgare në vend. Sipas Kovaçevskit, reagimi për këtë duhet të drejtohet në adresën e themeluesve të klubit, të cilët thuhet se janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

    Ministri i Punëve të Jashtme Osmani, theksoi se e drejta e shoqërimit është e paprekshme, por emri nuk është në përputhje me pikën e dytë të Konventës për Mbrojtje të Pakicave, kjo të bëhet në frymën e dialogut dhe miqësisë, sepse ky emër as nuk ndihmon në miqësi, por përkundrazi është bazë e mosmarrveshjeve dhe mosdurimit.

    Presidenti Stevo Pendarovski, javën e kaluar deklaroi se në Ligjin për shoqatat ekziston nen me të cilin mund të hetohet puna e shoqatave ekzistuese.

    Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi konstatoi diskriminim në bazë të përkatësisë kombëtare dhe etnike për themelimin e Shoqatës Qendra Kulturore “Vanço Mihailov” – Manastir. KPMD ka konstatuar edhe diskriminimin indirekt të kryer nga Ministria e Drejtësisë, për shkak të moskryerjes së përgjegjësive të saj ligjore, gjë që i mundësoi Asociacionit të kryejë veprime në kundërshtim me Ligjin. Shoqata Qendra Kulturore “Ivan Mihailov” njëherit, është e obliguar që brenda një afati të caktuar të heqë të gjitha elementet kontestuese në statut dhe program, të cilat shkaktojnë ngacmime”, konfirmoi të premten Komisioni dhe i ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë në afatin e dhënën të mbikëqyrë ligjshmërinë e dispozitës së aplikuar të Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet.

    Komisioni dje njoftoi se “reagon fuqishëm” për gjuhën e urrejtjes që përmban kërcënime për likuidim fizik të anëtares së tij Vesna Bendevska, të kryera në dy profilet e Viktor Stojanov, kryetar i Fondacionit Maqedonia nga Sofja, në rrjetin social Fejsbuk, me qëndrimin se kjo jo vetëm që nxit dhunë nga urrejtja ndaj një anëtareje të KPMD-së, e cila është zyrtare e zgjedhur shtetërore, por paraqet edhe një përpjekje për të ndikuar në pavarësinë e Komisionit në tërësi.

    Lajmi Paraprak

    Kamerat ‘pa pronar’ që vëzhgojnë Ranillugun e Parteshin

    Lajmi i rradhës

    “Kërcënimet boshe” të Kremlinit që kanë paralizuar Perëndimin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë