Maqedonia radhitet ndër vendet me intensitet të ulët të punës dhe shkallë të lartë të rrezikut ndaj varfërisë

    Rreth 80 për qind e popullsisë aktive në Maqedoninë e Veriut rrezikojnë të përfundojnë në varfëri, pasi jetojnë në familje me intensitet të ulët të punës. Kështu ka raportuar Instituti Evropian i Statistikës ( Eurostat) në një publikim për intensitetin e punës, që pasqyron se sa kanë punuar të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune në krahasim me potencialin e tyre të plotë. Që do të thotë se sa më i lartë të jetë intensiteti i punës (i shprehur në tre nivele, shumë i ulët, mesatar dhe shumë i lartë) brenda një familjeje, aq më i ulët është probabiliteti për të qenë në rrezik të varfërisë. Maqedonia e Veriut radhitet ndër vendet me intensitet shumë të ulët të punës dhe shkallë të lartë të rrezikut ndaj varfërisë. E pesta në Evropë, pas Lituanisë, Rumanisë, Sllovakisë e Bullgarisë.

    Kjo normë varionte nga 48.7 për qind në Danimarkë dhe 49.9 për qind në Irlandë, e deri në më shumë se 70 për qind e popullsisë në nëntë shtete anëtare të BE-së. Intensiteti i punës konsiderohet shumë i ulët kur të rriturit e familjes kishin një kohë pune të barabartë ose më pak 20 se qind të potencialit të tyre total të kombinuar të kohës së punës gjatë vitit të kaluar dhe nga ana tjetër konsiderohet shumë e lartë, kur koha e punës së të rriturve kalon 85për qind të potencialit të kohës së punës. Nëse i referoheshe të dhënave për Eurostat për vendin, që nga viti 2015 shkalla e rrezikut nga varfëria sipas pragut të varfërisë dhe intensitetit të punës së familjes (popullsia e moshës 0 deri në 64 vjeç) ka ardhur duke u thelluar. Nëse shtatë vjet më parë risku ishte mbi 70 për qind në vitin 2020 kjo normë u rrit edhe më shumë.

    “Të dhënat e vitit 2020 për BE-në tregojnë se punësimi ndihmoi në parandalimin e rënies së njerëzve në varfëri. Shkalla e rrezikut të varfërisë ishte 64 për qind për njerëzit e moshës më pak se 65 vjeç që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët pune krahasuar me 5.3 për qind për njerëzit që jetojnë në familje me intensitet shumë të lartë pune, ndërsa përqindja për njerëzit që jetojnë në familjet me intensitet mesatar të punës ishte 23 për qind. Në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së, një model i ngjashëm u vërejt, që do të thotë se rreziku i varfërisë u ul me rritjen e intensitetit të punës”, thuhet në publikim.

    Intensiteti i punës përkufizohet si raporti i numrit total të muajve që të gjithë anëtarët e familjes në moshë pune kanë punuar gjatë vitit referues të të ardhurave dhe numrit total të muajve që të njëjtit anëtarë të familjes teorikisht mund të kishin punuar në të njëjtën periudhë. Nga ana tjetër, sipas Entit Shtetëror të Statistikave në periudhën 2011-2021 normat e aktivitetit, punësimit dhe papunësisë regjistrojnë ndryshime nga viti në vit, në drejtim të rritjes ose uljes. Sipas ESHS norma më e lartë e punësimit, prej 47.2 për qind është regjistruar në vitin 2021, ndërsa shkalla më e ulët e papunësisë, prej 15.7 është regjistruar edhe në vitin 2021. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Komisioni për Antikorrupsion hap lëndë për vajzën e Talat Xhaferit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë