Mariçiq: Pa një zgjidhje që mbron gjuhën dhe identitetin maqedonas, nuk ka marrëveshje me Bullgarinë

    “Ne po kërkojmë një zgjidhje që nuk do të rrezikojë statusin e gjuhës sonë dhe do t’ia dalim mbanë. Nëse nuk pajtohemi për këtë çështje, nuk mund të ketë marrëveshje me Bullgarinë”, tha sot zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bojan Mariçiq për Radion e Maqedonisë, përcjell Nistori.

    Ai shtoi se Qeveria po i afrohet me kujdes negociatave dhe udhëhiqet nga Rezoluta e miratuar nga të gjitha palët në Kuvend.

    “Bullgaria mund të përpiqet të hapë çështjet e identitetit, por kjo nuk do të thotë se ne do të hyjmë në një bisedë dhe do të pranojmë kompromise. Për këtë arsye ne insistojmë që të gjitha pikat të zgjidhen në një paketë, ku do të ketë një balancë në kompromise”, shtoi Mariçiq.

    Zëvendëskryeministri tha se për Qeverinë është i papranueshëm çdo ndryshim apo plotësim i kornizës negociuese me BE-në për gjuhën maqedonase dhe statusin e saj në Union.

    Ai përsëriti se qëndrimet në bisedimet me Bullgarinë janë të përcaktuara me Rezolutën në Kuvend, ku Qeveria ka marrë detyrë të qartë që t’i përmbahet mbrojtjes së gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas dhe të gjejë zgjidhje dinjitoze.

    Mariçic shtoi se nëse i fillojmë negociatat tani, do të jemi në gjendje të ecim përpara më shpejt dhe të hapim e mbyllim kapitujt më shpejt, sepse kemi një pozicion të mirë fillestar. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mesazhi i tenistit rus, Rublev në objektivin e kamerës

    Lajmi i rradhës

    Ish-kryeministri Majko flet për situatën në Ukrainë: Pse po shkohet drejt Luftës së Dytë të Ftohtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë