MPB njoftoi se kanë marrë masa disiplinore ndaj një polici kufitarë në Bllacë i cili e lejoi Artan Grubin që të kaloj kufirin, ku sipas MPB-së ndaj tij kishte një masë aktive “Mbaj dhe njofto menjëherë”, përcjell Nistori.
“Pas kontrollimeve të kryera, inspektimit të materialeve zyrtare dhe pas analizës së pamjeve të sigurisë nga kamerat e sigurisë në Stacionin Policor të Pikëkalimit kufitar “Bllacë”, Departamenti vërtetoi se punonjësi i policisë B.J. me veprimin e tij të papërgjegjshëm nuk ka realizuar kontrollet e duhura për automjetin “Mercedes” gjatë kalimit të kufirit shtetëror në dalje nga RMV, nuk e ka regjistruar për daljen nga RVM dhe udhëtarët e automjetit përkatës A.P., me pasaportë diplomatike si shofer dhe A.G. me pasaportë maqedonase si pasagjer, i ka regjistruar si kalues të kufirit në këmbë, duke e anashkaluar mbikëqyrjen e duhur dhe ka realizuar kontrollin kufitar në sistemin SKPV për personin A.G. pa pritur që sistemi të verifikonte nëse personi kishte masën aktive “mbaj dhe njofto menjëherë”, dhe i ka dorëzuar pasaportat menjëherë, pas çka ata kanë lënë pikëkalimin kufitar”, thonë nga MPB.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar fletarrestim ndërkombëtar ndaj Artan Grubit dhe Përparim Bajramit në lidhje me rastin “Lotaria Shtetërore”, pasi Gjykata Themelore Penale në Shkup kishte vendosur për masën 30-ditore të paraburgimit për dy të akuzuarit. /Nistori/