MASAKRA E REÇAKUT / Liderët në Kosovë bëjnë thirrje për drejtësi

    Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

    Homazhe te varrezat e të rënëve kanë bërë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe ish-ambasadori William Walker.

    Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

    “Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit”, tha Osmani.

    Presidentja shtoi se Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

    Ai ka thënë se Walkeri vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe i urryer në Serbi, pasi e foli të vërtetën mbi masakrën dhe krimin kundër njerëzimit të kryer nga Serbia.

    “Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

    “E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë ai.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.

    “Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës”, tha Konjufca. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    RMV në vitin 2023 përfitoi 87 milionë euro nga sigurimi i automjeteve, 21 milionë euro nga kartoni i gjelbër

    Lajmi i rradhës

    Kuvendi i RMV sot do të mbajë seancën e parë për vitin 2024

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë