Propozim ligjet për arsimin e lartë, dy prej të cilave qëndrojnë të publikuara në portalin zyrtar Ener, janë prezantuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Format i ri financimi i institucioneve të arsimit të lartë, forcimi i kritereve për avancimin në titujt akademikë, ndryshimet në programet e studimit janë disa nga risitë që sjellin propozim ligjet.
Kreu i MASh, Vesna Janevska, nuk i ka kursyer kritikat ndaj Ligjit aktual për arsimin e lartë të vitit 2018, i cili sipas saj më shumë sesa zgjidhi, krijoi probleme dhe për këtë arsyer ligji i ri do të shoqërohet edhe me propozim ligjin për cilësinë e arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore hulumtuese. Me këtë të fundit përcaktohet riorganizimi dhe ngjallja e rolit të Agjencisë për cilësi, e cila sipas Janevskës gjatë pesë viteve të funksionimit është marrë vetëm me akreditime të programeve studimore, por jo me evaluime. Ajo theksoi se është vendosur një mënyrë e re e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, më shumë para për ato universitete që do të bëjnë përpjekje për të përmbushur kritere të caktuara më të larta. Kjo, siç tha ministrja, do të stimulojë konkurrencën dhe konkurrenca sjell cilësi.
Duke folur për programet studimore, Janevska tha se universitetet kanë mbi 1300 programe studimore, edhe pse ka raste kur vetëm dy, tre ose pesë studentë janë të regjistruar në një program studimor, gjë që, është absolutisht e papranueshme.
“Prandaj, në një marrëveshje me universitetet, ne ramë dakord që do ta ndryshojmë atë sistem dhe kjo parashikohet edhe nga ligji. Ne do të prezantojmë modularitetin… Meqenëse të gjitha institucionet publike do të duhet të përshtaten shumë shpejt me këto kushte të reja, presim që një numër relativisht i madh i tyre do të mbyllen vetë, ose do të mbyllen me forcën e ligjit”, deklaroi ministrja.
Ligji për Arsimin e Lartë parashikon përfitime për studentët që studiojnë në 100 universitetet më të mira botërore me bursë shtetërore, ose që studiojnë në Maqedoni dhe janë fitues të Unazës së Inxhinierisë ose janë shpallur studentët më të mirë në universitet. Ata do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore, si staf mësimor dhe shkencor.
Ajo informoi se ligji i ri përcakton që një profesor mund të mbajë të njëjtin titull nëse përmbush kërkesat për atë titull në çdo zgjedhje pasuese. Mandati i rektorëve do të jetë 4 vjet, në vend të 3 viteve që është aktualisht dhe modeli për zgjedhjen e një rektori do të ndryshohet gjithashtu. Ligji parashikon gjithashtu futjen e studimeve profesionale të cikleve të para, të dyta dhe të treta me përparim në studime akademike, si dhe programe të shkurtra profesionale për përvetësimin e njohurive të specializuara. Për të inkurajuar transparencën në punën e universiteteve shtetërore, po aktivizohen bordet e besimit publik dhe këshillat universitare, të cilat nuk funksiononin në të kaluarën. Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Shkencën do të marrë më shumë përgjegjësi.
“Pagat nuk janë më objekt diskutimi. Ato u rritën me 14 për qind vitin e kaluar dhe buxheti për mbështetjen e aktiviteteve shkencore dhe kërkimore është rritur gjithashtu nga 380 milionë denarë në vitin 2024 në 773 milionë denarë këtë vit, më shumë se dyfishi”, tha Janevska. /Koha/






