Formimi i Këshillit Ekonomik dhe Social është në fazën përfundimtare, ndërsa paralelisht po finalizohet edhe shporta e re e konsumatorit, e cila së shpejti do të jetë në dispozicion të publikut. Lajmi u bë i ditur në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e Qeverisë. Shporta e re është përgatitur në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe do të përmbajë të dhëna reale mbi çmimet e produkteve bazë në treg. Ajo do të përfshijë çmimet nga 3 deri në 5 tregje kryesore dhe do të llogaritet mbi çmimin më të favorshëm. Qëllimi është që shporta të pasqyrojë në mënyrë realiste nivelin e shpenzimeve mujore të një familjeje mesatare të vendit.
Një ndryshim i rëndësishëm në këtë version të ri është përshtatja e përmasës së familjes nga katër në tre anëtarë. Ky vendim është bazuar në të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë i vitit 2021, sipas të cilit një familje mesatare në Maqedoni ka tre anëtarë. Zëvendësministri Marjan Risteski deklaroi në muajin prill se, “Shporta mesatare e konsumatorit do të jetë një pasqyrim i plotë dhe me cilësi të lartë i nevojave të një familjeje mesatare, e cila është një familje me tre anëtarë sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës”.
Ai shtoi gjithashtu se të gjitha të dhënat për llogaritjen e shportës do të bazohen në burime zyrtare nga ESHS-ja dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, duke përfshirë çmimet e produkteve bazë dhe koston e jetesës në vend. Ndërkohë, Konfederata e Sindikatave të Maqedonisë ka publikuar të dhëna për rritjen e shpenzimeve mujore të një familjeje me katër anëtarë. Sipas tyre, në muajin maj shpenzimet minimale kanë arritur në 63.908 denarë, një rritje prej 1.217 denarësh krahasuar me muajin prill. Nëse përfshihet edhe qiraja për një apartament prej 60 m², shporta mujore sindikale arrin në 79.283 denarë.
Grupi i punës vendosi të vazhdonte me llogaritjen për një familje me katër anëtarë. “Në fund të fundit, ne po shkojmë me katër anëtarë dhe të dhëna reale”, shtoi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Debati mbi formulimin e shportës së konsumatorit ka marrë vëmendje edhe më parë, kur guvernatori aktual i Bankës Kombëtare, Trajko Slaveski, kishte sfiduar metodologjinë e shportës sindikale në një postim në Twitter, duke vënë në pikëpyetje përmasën e familjes së marrë si bazë.
Publikimi i shportës së re pritet të ofrojë një bazë më të qëndrueshme për analizat ekonomike dhe për ndërtimin e politikave sociale dhe ekonomike në përputhje me realitetin e familjes mesatare të vendit. Shporta e konsumatorit do të mbetet për një familje me katër anëtarë, jo për tre siç ishte njoftuar më parë nga Qeveria. Sipas ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, janë kryer analiza dhe një grup pune ka dhënë propozimet e tij. /Koha/