Matkë, fshati i vetëm që Komuna e Sarajit nuk ka bërë asnjë investim

    Fshati Matkë, Komuna e Sarajit / Fotografia: Alsat M

    Fshati Matkë, është fshati i vetëm në Komunën e Sarajit që nuk ka përfituar asnjë investim nga komuna.

    Kështu shprehen banorët e saj duke radhitur problemet me të cilat përballen për çdo ditë si mungesa e transportit të rregullt, ndriçimi, presioni i ujit dhe mungesa e kanalizimit.

    “Asfaltimi i rrugës është bërë në vitin 1979, në kohën e Tito-s. Prej atëherë e deri tash një lopatë asfalt nuk e kanë shtruar. Ujësjellësin vet e kemi ndërtuar me kontributin tonë. Prej atëherë Komuna e Sarajit nuk ka interesim, vjen para zgjedhjeve se do e bëjmë këtë e këtë, vetëm që s’na kanë premtuar që edhe në Haxh do të na çojnë matkalitë pa pare”, theksoi një banor.

    “Kanalizimi i prish edhe rrugët, nëse derdhet uji në asfalt, e prish. E dyta, edhe ndotje e ambientit është ajo, aty uji me kimikate vjen, e prish edhe asfaltin, duhet kanalizimi sa më shpejt të ndërtohet”, tha një banor.

    Pavarësisht që emri i fshatit të asocon në vend turistik, banorët thonë se shpesh herë turistët vijnë dhe kthehen pas sepse nuk kanë çfarë të shohin.

    “Lart në fshat çfarë të shohin, një lopatë nuk e kanë hedhur, asnjë gropë nuk e kanë mbuluar, i thyejmë makinat e shumë gjëra tjera. Më e rëndësishmja është të kemi autobus, rrugën ta bëjnë, të kemi kanalizim, ta dimë ku ti hedhim mbeturinat”, u shpreh një banore.

    “Rruga askund, katastrof, sikur që e shihni vet. Po bartin dru, po bartin gur, gjithçka. Vetëm shiko atje lart si është bë rruga, katastrofë, asfalti ka dal krejt”, tha një banor i fshatit Matkë.

    Pajazit Sinani, kryetar i Bashkësisë lokale të fshatit tha se drejtuesit e Komunës së Sarajit kanë pranuar se nuk kanë bërë asgjë për fshatin Matkë.

    “Tash do të vijnë prapë votimet, le të bëhet fshati top, kur të vjen këtu votat mos t’ia japim. Ama ne çka jemi, disa fshatarë këtu për një thes miell mashtrohen edhe e votojnë. Këtu ata e shfrytëzojnë rastin. Të bëhemi ne si fshat që kur të vij këtu, mbylle derën e shkollës, mos të ketë votime, e sheh ai, realizoje punën urdhëro votën”, tha Pajazit Sinani, kryetar i Bashkësisë lokale.

    Sipas banorëve, fshati Matkë ka rreth 70 shtëpi dhe mbi 600 banorë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Në RMV duhen tri rroga minimale për të kapërcyer muajin

    Lajmi i rradhës

    A është i shëndetshëm gatimi me tenxhere me presion

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë