MATURA NËN INFLUENCË / TikTok po zgjedh profesionin e nxënësve?!

    Dikur, për të zgjedhur një profesion, maturantët mbështeteshin tek prindërit, mësuesit apo këshilltarët shkollorë. Vendimet për të ardhmen merreshin pas bisedave familjare, analiza të tregut të punës dhe vizitave në ditë të hapura në universitete. Sot, gjithnjë e më shumë, këto vendime formësohen nga rrjetet sociale, kryesisht TikTok-u.

    Një video me titull “Si bëra 10.000 euro si freelancer pa fakultet” ose një ‘reel’ me jetë luksoze të një influenceri mjafton për të ndryshuar mendjen e një nxënësi të pavendosur. Realiteti i rrjeteve sociale po zëvendëson gradualisht realitetin e përditshëm dhe të rinjtë shpesh zgjedhin bazuar jo në nevoja reale ose aftësi personale, por në trendet më të fundit që algoritmi vendos për ta.

    Në vendin tonë, këtë vit janë rreth 15.000 maturantë që përgatiten për provimet shtetërore. Të ndarë mes gjimnazeve dhe shkollave profesionale, shumë prej tyre hyjnë në këtë fazë pa asnjë orientim konkret për të ardhmen. Sipas një raporti të OSBE-së për tranzicionin e të rinjve nga shkolla në punë, mbi 60 për qind e nxënësve nuk marrin asnjë formë të orientimit profesional gjatë shkollimit. Në këtë zbrazëti, rrjetet sociale bëhen burimi kryesor i frymëzimit dhe dezinformimit. Hashtage si #CareerTok, #FakultetiNukVlen apo #WorkFromAnywhere ofrojnë një version joshës të jetës, suksesi pa mund, para pa diplomë dhe liri pa përpjekje.

    Maturantja Blerina nga Kumanova, për gazetën Koha tregon se deri pak muaj më parë kishte qenë e sigurt që do të regjistrohej në Fakultetin Juridik, por ajo tha se duke qenë një përdoruese e rregullt e TikTok-ut, ka parë se bashkëmoshataret e saj kanë arritur shumë sukses përmes kësaj platforme, e kjo e ka ndryshuar plotësisht edhe mendimin e saj. “Tani më duket sikur fakulteti është humbje kohe dhe harxhim shumë i madh. Shumë nga ata që shoh në rrjete kanë arritur më shumë vetëm me kurse online dhe me përkushtim. Unë po mendoj të ndjek një kurs për social media dhe të punoj freelancer. Më duket më e mençur sesa të harxhoj vite në një degë që nuk garanton asgjë”, theksoi ajo.

    Rasti i Blerinës nuk është i vetmi. Gjithnjë e më shumë të rinj ndihen të tërhequr nga ideja se suksesi matet me shpejtësinë e fitimit dhe numrin e ndjekësve, jo me arsimin e lartë. Edhe psikologët shkollorë, janë përballë një sfide që tejkalon kufijtë e profesionit.

    Psikologja Teuta Jashari, për gazetën KOHA në lidhje me këtë fenomen tha se ndikimi i rrjeteve është më i thellë sesa mendohet. “Në parim, nuk është keq që të rinjtë kanë më shumë burime dhe mundësi informimi, por problemi qëndron te mungesa e mendimit kritik. Ata besojnë verbërisht çdo video që u del. Në mungesë të këshillimit profesional të mirëfilltë, ata formojnë ide të deformuara për suksesin. Shohin një video të bukur dhe mendojnë se e nesërmja do të jetë po aq e lehtë. Pastaj zhgënjimi është i madh kur realiteti nuk përputhet me ëndrrën e krijuar nga rrjetet”, theksoi psikologja, duke shtuar se për këtë problem institucionet nuk kanë ndërmend të veprojnë.

    Ndryshe, kjo pasqyrë e shtrembëruar e suksesit e kthen maturën nga një hap i rëndësishëm drejt pjekurisë, në një udhëkryq konfuzioni ku gjithçka duket e mundur, por asgjë nuk është e qartë. Një pjesë e të rinjve vendosin të mos regjistrohen fare në fakultet, të tjerë bëjnë zgjedhje të gabuara, thjesht sepse një influencer tha se “lënda e matematikës është jashtë mode, ndërsa IT është e ardhmja”. Në këtë klimë, shkollat vazhdojnë të mos ofrojnë orientim profesional sistematik, ndërkohë që rrjetet sociale ndërtojnë një rrëfim të rremë për jetën dhe karrierën.

    Lajmi Paraprak

    Tetova ‘mbytet’ në pluhur: kush mban përgjegjësi për ndotjen masive nga rrënimi i Monopolit?

    Lajmi i rradhës

    Annalena Baerbock zgjidhet presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë