Në një kohë kur shumë vende të Ballkanit Perëndimor po ecin me hapa të sigurt drejt integrimit evropian, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me sfida të shumta në këtë rrugëtim.
Sipas të dhënave më të fundit, vendi ynë ka bërë përparime në reformat e nevojshme, por ende nuk ka arritur të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo situatë krijon një ndjesi pasigurie te të rinjtë, të cilët shpresojnë për një të ardhme më të ndritur dhe mundësi më të shumta brenda kornizës evropiane.
Maturantët e sotëm e shohin integrimin në BE si një mundësi jetike për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, duke pritur me padurim që Maqedonia të përmbushë kriteret e nevojshme për të hapur këtë kapitull të rëndësishëm në historinë e saj.
Ndërkaq, maturanti nga Kumanova, Miraxh Sulejmani deklaroi për gazetën Koha se plani për të migruar pas përfundimit të vitit shkollor është i varur nga integrimi i vendit.
“Për shumë kohë jemi vetëm një hap drejtë BE-së, mirëpo ai hap duket se ka ndaluar në vend. Derisa të bëhet më duket se s’do mbetet askush këtu. Unë mendoj të largohem pas përfundimit të vitit, e nëse ndodh që Maqedonia të hyjë në BE, atëherë besoj se mund të ndryshoj mendje. E kush nuk do dëshironte të ishte këtu nëse kushtet përmirësohen, madje nuk duhet pritur që Maqedonia të hyjë në BE për përmirësimin e shtetit, ajo duhet të ishte bërë me kohë, para se të rinjtë të largoheshin”, tha maturanti.
Nga ana tjetër, maturantja Egzona Kurtishi, e pyetur nga gazeta Koha se a pret që vendi të filloj negociatat dhe të anëtarësohet në BE, ishte mjaftë optimiste duke theksuar se si shtet meritojmë një perspektivë evropiane.
“Si maturante, pres me shumë optimizëm që Maqedonia të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e vendit tonë dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë. Ne e meritojmë një perspektivë evropiane dhe shpresoj se do të arrijmë të realizojmë këtë synim sa më shpejt. Uroj që edhe ata që u larguan pas anëtarësimit, të paktën një pjesë e tyre të kthehen”, theksoi ajo.
Ndryshe, rruga e përbashkët e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë për anëtarësim në BE do të ndahet me 15 tetor, ku Shqipëria do t’i vazhdoj negociatat për anëtarësim në BE derisa RMV-ja do të ngecë shkaku i mos miratimit të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Nga ana tjetër, presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova foli nga Procesi Brdo – Brioni në Tivat të Malit të Zi. Ajo foli për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tha se dhoma e pritjes e Bashkimit Evropian e quajtur Ballkani Perëndimor është bosh në dy mënyra: e para është duke integruar vendet dhe e dyta me emigrim, veçanërisht të rinjtë.
“Njerëzit janë lodhur duke pritur anëtarësimin e vendeve të tyre në Bashkimin Evropian. Procesi i Brdo Brionit duhet të na ndihmojë të ndryshojmë këtë sallë pritjeje të quajtur Ballkani Perëndimor duke integruar shtetet, jo duke migruar qytetarët. Procesi do të përmbushë qëllimin e tij kur shteti i fundit i mbërthyer në këtë rajon gjeopolitik të bëhet anëtar i plotë i Unionit dhe kur të dorëzojmë “zhargonin” e Ballkanit Perëndimor në histori, jo më vonë se 2030”, tha Siljanovska-Davkova.
“Ne presim që fqinjët tanë të respektojnë marrëveshjet, pa e keqpërdorur të drejtën e vetos”, tha ajo.