Pronari i Pucko Petrollit, Asmir Jahoski, ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Gjykatës Penale, e cila nuk e pranoi garancinë për ta zëvendësuar paraburgimin e Jahoskit me arrest shtëpiak, konfirmoi avokati i tij Vlladimir Donevski për Alsat. Në një bisedë telefonike të shkurtër, Donevski tha se mëngjesin e sotëm është dorëzuar ankesa në Apel dhe se gjatë javës së ardhshme pritet që trupi gjykues të marrë vendim përfundimtar.
Nga ana tjetër, nga Apeli për Alsat thanë se deri në këtë moment nuk e kanë marrë zyrtarisht ankesën, por se sapo të arrijë, do të veprojnë. Nga atje shpjegojnë se pas pranimit të ankesës, Apeli do ta presë mendimin e Prokurorisë së Lartë dhe pastaj në një seancë, për të cilën do të informohet publiku në mënyrë shtesë nëse do të jetë e hapur ose jo, Këshilli Penal do të vendosë nëse do ta pranojë apo ta refuzojë. Pavarësisht mendimit pozitiv të prokurorit nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që Jahoski të shkojë në arrest shtëpiak nëse, përveç garancisë prej 60 milionë denarësh në një llogari të veçantë, deponon edhe 72 milionë denarë, Gjykata Penale vendosi ta refuzojë kërkesën si të pabazë me arsyetimin se nëse Jahoski do të ishte në arrest shtëpiak, ai mund ta pengonte hetimin përmes ndikimit te dëshmitarët ose përmes fshehjes dhe shkatërrimit të provave të veprës penale.
Asmir Jahoski është një nga 13 të dyshuarit në hetimin për tenderët dyshues për furnizimin me mazut në vlerë prej 167 milionë euro për TEC Negotinë, i cili ishte hapur në vitin 2023. Përveç Jahoskinit, në këtë rast janë të dyshuar edhe disa biznesmenë të njohur dhe ish-zyrtarë, si ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati, dhe pronari i kompanisë së naftës RKM Energy, Ratko Kapushevski, i cili ndodhet në paraburgim. Jahoski është në paraburgim nga 12 marsi.
Geer: jemi të shqetësuar për zbatimin e dobët të rekomandimeve të KShPK-së
Ambasadori europian David Geer, tha sot se është i shqetësuar për zbatimin e dobët të rekomandimeve të Komisionit…