Edhe pse shpesh herë komunat rurale në rajonin e Pollogut ndërmarrin aksione për pastrimin e deponive ilegale megjithatë të njëjtat sërish krijohen nga hedhja e mbeturinave. Zakonisht këto deponi të egra krijohen në vende periferike nga persona të pandërgjegjshëm dhe pastrimi i tyre merr shumë kohë, por edhe ka kosto për këto komuna.
Denoncimi i fundit ka ardhur nga kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi i cili ka bërë të ditur se brenda një muaji dy herë është pastruar deponia ilegale në rrugën Bogovinë – Novosellë. “Pasi pastruam deponitë e egra përgjatë rrugës malore Bogovinë-Novosellë para pak më shumë se një muaji, përsëri janë vërejtur hedhje të inerteve nga persona të papërgjegjshëm. Gjithashtu përgjatë rrugës hidhen edhe materiale tjera si plastika, qese prej plastmase nga pakujdesia”, deklaroi kryetari Feti Abazi.
Ai më tej ka paralajmëruar masa ndëshkuese për individët dhe kompanitë të cilët hedhin mbeturina përgjatë rrugës Bogovinë – Novosellë. “Sërish jemi detyruar me ndihmën e Ndërmarrjes Komunale Sharri të intervenojmë për pastrimin e këtij aksi nga hedhurinat. Ju bëj apel qytetarëve që të tregojnë kujdes për mirëmbajtjen e mjedisit. Gjithashtu paralajmërojë kompanitë dhe individët që hedhin inerte në mënyrë joligjore se Komuna do të veprojë në përputhje me ligjin për çdo kënd që shkel rregullat dhe ligjin për mbrojtjen e mjedisit”, thotë kryetari Abazi.
Këto deponi, ishin pastruar kohë më parë në kuadër të një aksioni të komunës së Bogovinës për largimin e deponive ilegale. “Pastrimi i deponive të egra ishte një ndër pikat e platformës zgjedhore! Rrugën Bogovinë Novosellë e gjetëm të shndërruar në deponi të egër dhe të pa mirëmbajtur. Përveç pastrimit është ndërhyrë edhe në zgjerimin e disa pjesëve të kësaj rruge”, kishte bërë të ditur në atë kohë kreu i komunës së Bogovinës, Feti Abazi.
Pastrimi i deponive të egra në komunat rurale paraqet një sfidë të veçantë pasi që komunat nuk kanë numër të mjaftueshëm të inspektorëve të cilët do të bëjnë kontrolle më të shpeshta dhe do të ndëshkojnë personat që hedhin mbeturina në vende joadekuate. /Koha/






