Mbi 10 mijë qytetarë të RMV drejt Kroacisë për punë sezonale

    Pakënaqësia me pagat dhe çmimet ka shtuar gjithnjë e më shumë numrin e të rinjve që kërkojnë mundësi pune jashtë Maqedonisë së Veriut. Më shumë se një herë, vendet e BE-së dhe ato rajonale janë bërë destinacione të preferuara për punë sezonale, ndërsa shumë qytetarë të vendit janë tërhequr nga mundësitë që ofrohen në këto shtete.

    Një destinacion që mbetet i preferuar për shumë është Kroacia, një vend që ofron mundësi të mira për punë sezonale, sidomos në sektorin e turizmit. Për shumë nga ta, kjo është një mundësi për të siguruar një të ardhur më të lartë se sa mundësitë që ofron Maqedonia. Disa qytetarë tashmë kanë arritur në Kroaci, ndërsa të tjerë pritet të largohen deri në fund të majit.

    Një prej atyre që do të shkojë në Kroaci këtë vit është gazetarja Puhiza Osmani. Ajo për gazetën Koha ka shpjeguar se është detyruar të largohet nga Maqedonia për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të punës që nuk e mbështesin atë për të siguruar një jetesë të përshtatshme.

    “Këtu nuk ka mundësi të mira për të siguruar të ardhura të mjaftueshme, ndaj nuk kam pasur tjetër mundësi përpos të shkoj për punë në Kroaci. Atje do të punoj me sigurim dhe akomodim të përfshirë, ndërsa paga bruto do të jetë rreth 1.000 euro. Do të shkoj në Bol përmes agjencisë ‘Macedo’, në bregdetin kroat, ku kontrata ime përfshin edhe rrogën e 13-të dhe sigurimin pensional. Sa i përket rritjes së pagave atje, kjo më shumë vlen për punëtorët që shkojnë për të punuar më shumë se një herë, pasi mund të arrijnë kushte më të mira me marrëveshje me pronarët”, theksoi ajo.

    Ndërkaq, vitin e kaluar, mbi 10.000 qytetarë të vendit shkuan në Kroaci për punë sezonale. Ky numër i madh tregon një rritje të kërkesës për punëtorë në sektorët e turizmit, të cilët kanë ofruar kushte më të mira për punëtorët, duke përfshirë akomodimin dhe përfitimet shtesë. Këtë vit, punëtorët që do të shkojnë nuk pranojnë më kontrata me paga të ulëta. Ata kërkojnë kushte më të mira dhe mundësi më të mira për të siguruar një jetë më të denjë, pasi reputacioni i punëtorëve të Maqedonisë në Kroaci është i shkëlqyer, dhe shumë prej tyre kthehen për të punuar me të njëjtët punëdhënës vit pas viti.

    Ndër të tjera, pritshmëria është që ky trend të vazhdojë gjatë dhe kërkesa për punëtorë sezonale nga Maqedonia të rritet për shkak të kushteve më të mira që ofrohen në Kroaci. Mirëpo, edhe pse duket se fillimi i sezonit veror i bënë më të kërkuar kamerierët, kuzhinierët, punonjësit e kuzhinës, stafin e hoteleve dhe higjienës, në fakt atje ka kërkesa të shumta edhe për  punonjësit e ndërtimtarisë, infermierët, shitësit, kujdestarët, shoferët, dhe punëtorët e magazinave.

    Ndryshe, si punëtor sezonal në Kroaci dominojnë qytetarët e Bosnje Hercegovinës, të ndjekur nga qytetarët e Serbisë, Nepalit, ndërsa vendin e katërt e zënë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Pas RMV-së vijnë qytetarët e Kosovës, Indisë, Filipinet, Bangladeshit, dhe Shqipërisë.

    Lajmi Paraprak

    PROTESTA NË KOÇAN / Qytetarët kërkuan lirimin e të arrestuarve që shpëtuan të rinjtë në diskotekë

    Lajmi i rradhës

    Faturat që “shkundin” buxhetin familjar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë