Mbi dy orë takim – s’ka marrëveshje për dalje nga bllokada në Kuvend

    Krerët e partive politike në Kosovë nuk kanë arritur marrëveshje për dalje nga bllokada për konstituim të Kuvendit, as pas një takimi të shtunën që ka zgjatur mbi dy orë.

    Takimin e ka thirrur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Takimi është zhvilluar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

    Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

    Kjo e fundit, pra mënyra e ndryshimit të votimit, për partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, është veprim jokushtetues.

    Deputët e legjislaturës së re i kanë mbajtur 38 seanca prej 15 prillit, në tentim për të konstituuar Kuvendin, por nuk kanë pasur sukses.

    Kush çfarë tha?

    Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë pas takimit se Kurti, ndonëse e ka thirrur takimin, ai nuk ka ndryshuar qëndrim.

    “Morëm pjesë me vullnetin më të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse në të njëjtën kohë me drojën më të madhe se i gjithë ky takim ishte më tepër farsë publike sesa substancial. Fatkeqësisht droja jonë u vërtetua”, ka thënë ai të shtunën, pas një takimi që ka zgjatur mbi dy orë.

    “Insistimi në pozicionet paraprake e bën të pamundur lëvizjen nga kjo gjendje”, ka thënë ai para mediave.

    Abdixhiku ka thënë se Kosova do të vazhdojë të mbetet në krizë.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka quajtur ftesën e Kurtit si aktrim “për të përmbushur një obligim” që i ka dhënë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

    “Përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta”.

    “Ne kërkuam shumë qartë dhe shumë drejtë me aktgjykim që të mos vazhdojmë me arbitraritetin e 20 seancave të fundit me kërkesën për komision për votim të fshehtë, por ta kthejnë pikën për votim të hapur për kandidaten. Është çështje e tyre se a e ndërrojnë emrin. Ata e dinë ofertën që ua kemi dhënë nga fillimi, këdo që nuk ka qenë ministër apo ministre edhe mund ta votojmë. Duket se kjo nuk do të ndodhë”.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë se nuk ka konsensus mes partive politike dhe që LVV-ja nuk e ka pranuar asnjë propozim të ofruar nga partitë tjera.

    “Nëse edhe nesër i vazhdojmë praktikat e njëjta, ata po e shkelin me qëllim Kushtetutën”, ka thënë ajo, duke insistuar që të mos votohet më për formim të një komisioni për votim të fshehtë për votim të të nominuarës për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se krizat sikurse këto, zgjidhen vetëm me marrëveshje politike.

    “Si takim mendoj që është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime tjera. Natyrisht, takimi i parë është i vështirë. I ftova të gjithë të fokusohemi në marrëveshje politike. Aktgjykimi është aty ku është, e interpretojnë profesionistët. Shpresoj të kemi takime tjera”.

    Ai ka bërë thirrje që të gjithë të dalin nga interesat partiake, “në të mirë të Kosovës”.

    Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

    Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

    Deklarimet e partive Guxo dhe Alternativa

    Faton Peci nga partia Guxo, parti në koalicion me LVV-në, ka thënë se interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “nuk është fontanë dëshirash”, prandaj ka bërë thirrje për një marrëveshje politike për zhbllokim.

    “Pra të kemi pako të marrëveshjes, por jo pako të votimit të kryetarëve dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, sepse rezultati i zgjedhjeve të datës 9 shkurt nuk mund të tjetërsohet”.

    Mimoza Kusari – Lila nga partia Alternativa, gjithashtu në koalicion me LVV-në, ka insistuar se në asnjërin paragraf nuk është e specifikuar se “mbarëvajtja e seancës së deritashme ka shënuar diku shkelje”.

    “Gjykata Kushtetuese, nëse ka dashur të ofrojë rrugë për një proces që është në vazhdim, nuk ka dhënë rrugë. Në fund e ka ofruar një mundësi për interpretime edhe më të larmishme, deri aty sa kemi pasur deklarata që nëse vazhdohet me seancën sikurse deri më tani, do të ketë pasoja, por nuk dihet se cilat janë ato”, ka thënë Kusari – Lila.

    Interpretime ndryshe-ndryshe të vendimit të Kushtetueses

    Menjeherë pas publikimit të aktvendimit, partitë politike e kanë interpretuar atë ndryshe-ndryshe.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se “votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, pra është i lejuar”.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka insistuar që “rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt”.

    Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, vendimi ka përcaktuar se Lëvizja Vetëvendosje “nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit, se duhet të sigurojë shumicën e votave të deputetëve ose të arrijë konsensus me grupet parlamentare”.

    Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se kjo parti nuk mund të mos shprehet e lehtësuar që kërkesa e saj për interpretim dhe zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese është “pranuar dhe Gjykata ka nxjerrë vendim për këtë çështje, duke krijuar një bazë ligjore për të dalë nga ngërçi i krijuar”.

    Hasani: Gjykata konfirmoi se votimi i fshehtë është jokushtetues

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

    “…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.

    Në takimin e 8 prillit, nuk është marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.

    Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.

    “Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, theksoi ai. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Protesta për dhe kundër Qeverisë në Beograd

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë