Kopshti zoologjik është i mbyllur që nga mëngjesi i sotëm, ndërsa janë evakuuar edhe punëtorët, mëson Meta.mk nga burime në kopshtin zoologjik të Shkupit, të cilët këmbëngulin në anonimitet.
Jozyrtarisht bëhet fjalë për një bakter dhe nuk përjashtohet një virus te patat që mund të infektojë edhe njerëzit. Ditët e fundit kanë ngordhur një duzinë patash dhe tani po ngordhin edhe pjesa tjetër.
U.d drejtori i kopshtit zoologjik në Shkup, Zoran Popov, nuk iu përgjigj thirrjeve të Meta.mk, ndërsa drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Milanov, shkurt tha se në kopshtin zoologjik ka qenë që në mëngjes herët dhe se të gjitha analizat e mundshme do të kryhen për të parë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë.
“Për momentin nuk mund të jap ndonjë informacion konkret derisa të kemi rezultatet e analizave”, tha Milanov.
Kopshti zoologjik në Shkup, ku kryetarja Danela Arsovska zëvendësoi katër drejtorë në mandatin e saj të deritanishëm, vazhdimisht është nën kritika serioze në opinion për shkak të numrit të madh të kafshëve të ngordhura dhe mostransparencës në punë gjatë viteve të fundit.