Me rritjen e çmimit të metanit rrezikohet të shtrenjtohet edhe transporti publik

    Ende pa gjetur mënyra për te tejkaluar problemet e vjetra, Ndërmarrja e Qarkullimit Publik në Shkup ndodhet para vështirësive të reja.

    Rritja e çmimit të metanit nga 50 në 110 denarë ka bërë që kjo ndërmarrje të kërkojë subvencione nga shteti.

    Sipas drejtorit të ndërmarrjes, Ivan Ilievski, nëse pushteti nuk mundëson subvencione atëherë do të shqyrtohen opsione të tjera, si reduktimi i linjave ose çmimi i biletave, por këto opsione për momentin nuk po shqyrtohen.

    “Nëse krahasohet çmimi që ishte më 31 dhjetor, me 3 janarin e vitit 2022, atëherë dallimi është rreth 1 milion denarë shpenzim shtesë për ndërmarrjen. Në këtë moment shfrytëzoj rastin të kërkoj subvencione nga Qeveria, si dhe rregullimin e çmimit të metanit në tregun vendor. Komisioni Rregullator të sjellë vendim për ngrirje të çmimit të metanit, pra të mbetet ai i 31 dhjetorit të vitit 2021. Për momentin nuk po shqyrtohet mundësia për rritjen e çmimit të biletës”, tha Ivan Ilievski- drejtor i NQP-së.

    Drejtori i ndërmarrjes tha se së shpejti do të kenë takim edhe me kompanitë private, të cilët kërkojnë që të paguhen më shumë për kilometër që të mund të përmirësojnë gjendjen e autobusëve.

    Gjithashtu drejtori do të shqyrtoje marrëveshjet me privatët, pasi shpesh herë kur shkelje të caktuara bëhen nga autobusët privat, deri tani NQP ka ngritur duart, duke thënë se nuk janë autobusët e tyre.

    Mbetet e paqartë se si Qyteti i Shkupit do të rrijë të realizoje premtimin për transport publik falas, duke pasur parasysh gjendjen momentale të kësaj ndërmarrje.

    Borxhi që ndërmarrja ka është 250 milion denarë, ku pjesa më e madhe e borxhit është për lëndë djegëse. Drejtori tregohet optimist duke thënë se vështirësitë e ndërmarrjes do të tejkalohen brenda 6 muajsh. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Shumë shkolla në Maqedoninë e Veriut rrezikojnë të mbeten pa kuadër mësimor

    Lajmi i rradhës

    Partitë në qeveri janë distancuar nga postimi i Trifonovit, bëjnë thirrje që të mos bëhen deklarata të improvizuara në lidhje me RMV-në

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë