MË SHUMË PËR PERSONELIN SESA PËR ARMATIMET! “BALKAN DEFENSE MONITOR 2024” PËR SHPENZIMET NË RMV

    Balkan Defense Monitor 2024 në analizën më të fundit e rendit Maqedoninë e Veriut si vendin e dytë në rajon sa i takon shpenzimeve për mbrojtjen. Pas Serbisë, që zë vendin e parë në rajon me shpenzime prej 2% të PBB-së, vjen Maqedonia e Veriut me shpenzime prej 1.7% nga PPB-ja për vitin e kaluar. Sipas parashikimeve Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë (me 1.6% të PBB-së), pritet që të arrijnë në 2024 objektivin prej 2 % të PPB-së. Kroacia, ka mbajtur shpenzimet e saj të mbrojtjes në rreth 1.5% të PBB-së së saj për tre vitet e fundit.

    Ndërkohë, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina janë prapa pjesës tjetër të Ballkanit, me vetëm 1% dhe 0.7% shpenzime të parashikuara për mbrojtjen në vitin 2023. Monitori i Mbrojtjes në pjesën që analizon shpenzimet, të ndarë në tre kategori – personelit, armëve dhe pajisjeve, e të tjera vëren se Maqedonia ka ulur ndjeshëm shpenzimet për personelin, krahasuar me vitin 2020. Prapëseprapë ato mbeten më të larta sesa për dy kategoritë e tjera. Përkatësisht në Maqedoninë e Veriut, personeli merr 38% të shpenzimeve, ndërsa armët dhe pajisjet marrin 26%. Vendi vlerësohet pozitivisht për transparencën, ndërkohë që ka ende vend për përmirësim në aspektin e buxhetimit.

    “Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut mund të përshkruhet si i zbërthyer dhe transparent deri në një masë, megjithatë ka ende vend për përmirësim. Ashtu si buxhetet e tjera, përveç të Kroacisë, buxheti i RMV nuk i referohet projekteve specifike të prokurimit si zëra buxhetor, por të gjitha shpenzimet kapitale për pajisje kualifikohen nën blerja e pajisjeve dhe makinerive”, thuhet në raport.

    Deri në vitin 2021, përqindja më e madhe e buxhetit ishte shpenzuar për personel. Pas projekteve të modernizimit dhe prokurimit të pajisjeve, si mjetet e armatosura Stryker dhe Oshkosh, pjesa e buxhetit të armëve dhe pajisjeve filloi të rritet ngadalë. Deri në buxhetin e vitit 2023, Maqedonia e Veriut kishte planifikuar të shpenzonte 39% për këtë kategori, por në fakt shpenzoi 11% më pak, ose 28% të shpenzimeve të mbrojtjes. Në vitin 2024, shpenzimet për armë dhe pajisje pritet të tejkalojnë shpenzimet e personelit.

    Ndërkohë, të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë edhe vendet e rajonit po plotësojnë një kërkesë tjetër – që të paktën 20% e shpenzimeve të mbrojtjes të përdoren për pajisje.

    “Buxheti i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut ka pësuar një rritje të konsiderueshme që nga anëtarësimi i vendit në NATO në vitin 2020. Rritja është gjithashtu pasojë e një plani afatgjatë të modernizimit të Ushtrisë”, thekson Monitori i Mbrojtjes i Ballkanit. Këtë e ka konfirmuar Radmilla Shekerinska, ish-ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, e cila ka folur edhe në prezantimin e Balkan Defense Monitor 2024 në Beograd.“Ne filluam nën 1% në 2017 dhe shkuam në 1.8% këtë vit dhe shpresojmë në 2% vitin e ardhshëm. Pas Ukrainës, ne kemi parë se pa siguri, gjithçka është asgjë – gjithçka shembet”, tha ajo.

    Serbia është një nga vendet e rajonit që shpenzon saktësisht në pjesë të barabarta (me nga 39% ) për personel dhe armë. Ngjashëm edhe Kroacia (personel 41% dhe armë 39%). Ashtu si në vitet e mëparshme, shpenzimet për personelin e Bosnjë-Hercegovinës janë më të mëdhatë me 89%, e pasuar Mali i Zi (56% për personelin dhe vetëm 24% për armë dhe pajisje). Ky është edicioni i tretë i Balkans Defense Monitor, i cili mbulon Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Serbinë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Kushtetuta qytetare, a rrezikohen shqiptarët

    Lajmi i rradhës

    Pesticidi i dëmshëm përdoret për prodhimet bujqësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë