Mediat presin që shteti t’i paguajë pesë milionë euro!

    Brenda 30 ditëve pas përfundimit të zgjedhjeve, mediat duhej të merrnin paratë për fushatat nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për edukimin e votuesve për ushtrimin e të drejtës së votës dhe për zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Po paratë nuk ishin planifikuar fare në arkën e shtetit?!

    Me ribalancimin do të sigurohen 322 milionë denarë (5,2 milionë euro) për KShZ të cilat sipas Kodit Zgjedhor nuk ishin planifikuar për pagesë për media dhe për të cilat ekziston obligim ligjor, njoftoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska. Mediat, nga ana tjetër, me padurim presin paratë për shpalljet dhe njoftimet e publikuara nga KShZ-ja për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale për të cilat tashmë kanë kaluar afatet e pagesës.

    Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për Slloboden Peçat thonë se kanë kërkuar me kohë që të transferohen paratë nga Ministria e Financave, por përkundër insistimit të tyre në dy raste, ministri i mëparshëm i Financave, Fatmir Besimi, nuk ka dhënë dritën jeshile për pagesën.

    “Buxheti i reklamave përcaktohet para zgjedhjeve. Ne bashkë me Ministrinë e Financave e kemi miratuar atë buxhet. Në fillim nuk na paguan 200 milionë denarë. Më pas do të na transferoheshin edhe 200 milionë të tjera. Bëhet fjalë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Nëse ato para do të na transferoheshin dhe ne nuk do t’i transferonim në media, atëherë do të ishim fajtorë. Kështu kemi kërkuar, por nuk kemi marrë para nga Ministria”, thotë Aleksandar Dashtevski, kryetar i KShZ-së.

    Ai po ashtu ka shpjeguar se afati i pagesës tashmë ka kaluar pasi janë 30 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Siç dihet, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 24 prill, kurse raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

    Ribalancimi i Buxhetit është miratuar pardje në seancën e Qeverisë. Ai i është dorëzuar Kuvendit dhe sipas Rregullores së Kuvendit, deputetët duhet ta votojnë deri më 8 gusht. Pas miratimit të ribalancit, mediat do të mund të presin paratë që u detyrohen nga shteti.

    Sipas Kodit Zgjedhor, “fushatat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për edukimin e votuesve për ushtrimin e të drejtës së votës dhe për zgjedhje të ndershme e demokratike nuk konsiderohen reklamë politike me pagesë”. Ata duhet të ndahen nga pjesa tjetër e programit dhe sponsori i tyre duhet të shënohet qartë.”

    Siç deklaroi ministrja e re e Financave, Dimitrieska-Koçoska, për shumë obligime ligjore për pagesat nga thesari i shtetit nuk ishin paraparë para në buxhetin bazë. Ajo po ashtu ka deklaruar se ka borxhe të mëdha ndaj kompanive private.

    Gjatë votimit të ndryshimeve në Ligjin për Disiplinë Financiare, ministri, gjatë vitit të kaluar, kur ka pasur ulje të afateve në të cilat sektori publik duhet t’i paguajë sektorit privat, Besimi tha:

    “Në këtë mënyrë krijohet parashikueshmëri për kompanitë dhe mbështetet likuiditeti i ekonomisë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë në mes të një krize ekonomike”, deklaroi Besimi.

    Lajmi Paraprak

    SPB Tetovë konfirmon arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së / Duraku: kjo qeveri po bëhet mashë e Serbisë

    Lajmi i rradhës

    Në 40 gradë hidhen lopatat e qeverisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë