SPB Tetovë konfirmon se dje në vendkalimin kufitar Jazhincë është ndaluar një 47-vjeçar shtetas i Kosovës i cili kërkohej nga Interpoli i Serbisë.
“Më datë 17.07.2024 në ora 16:00 në vendkalimin kufitar Jazhincë, në hyrje të vendit, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria personin B.R(47) nga Kosova, për arsye se gjatë kontrollit të dokumentit të udhëtimit ka evidentuar në masën “Arresto” në bazë të kërkesës së Interpolit të Serbisë.
I njëjti i është dorëzuar zyrtarëve policorë nga SPB-Tetovë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.
Deputeti i Frontit Evropian Sadulla Duraku, ka reaguar për ndalimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani.
Duraku tha se jemi dëshmitarë që edhe kjo qeveri po bëhet mashë e Serbisë.
“Kjo qeveri që është tani, që fatkeqësisht e luan lojën e të tjerëve dhe bëhet mashë e të tjerëve dhe mashë e Serbisë dhe me keqardhje i zbatojnë disa gjëra që kanë mundur të kalohen me elegancë dhe ushtarët e UÇK-së të lëvizin lirshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash Duraku.
Ai shtoi se në qeverinë e re ka ministër që është përkrahës i Putinit dhe ministër që nuk pranon Kosovën e pavarur.






