Menaxhimi me të dhënat e sigurimit social, pothuajse çdo institucion në RMV vepron kokë më veti

    Institucione të ndryshme me kompetenca të ngjashme, aktivitete dhe të dhëna që po përsëriten dhe duplifikohen, mungesa e efikasitetit. Gjithashtu menaxhimi me të dhënat e sigurimit social është i fragmenutar, andaj çdo institucion vepron kokë më veti apo në mënyrë autonome. Mungesa e të dhënave të integruara sjell edhe regjistra të ndryshëm të të dhënave.

    Këto janë vetëm një pjesë e shkaqeve për shkak të së cilave MPPS po propozon Ligj për regjistrin e sigurimit të obligueshëm social. Me fjalë të tjera në një vend do të mbahet evidenca për të gjitha kontributet të pensionit, shëndetësor dhe të atij për sigurim në rast të papunësisë.

    Njëherësh dobësi e praktikave të deritanishme është ajo se grumbullimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore kryhet nga Administrata e të Ardhurave Publike, por ajo nuk mban regjistër të të siguruarve shoqërorë, por vetëm regjistër tatimor.

    Ekzistojnë më shumë lidhje të humbura në rrjedhat e të dhënave midis regjistrave të ndryshëm që mbahen në institucione të ndryshme për nevojat e sigurimeve shoqërore të detyrueshme. Kjo mund të çojë në boshllëqe në pagesat e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe në këtë mënyrë në sigurimin e të siguruarve në drejtim të ushtrimit të të drejtave të tyre.

    “Qëllimi i këtij ligji është vendosja e një sistemi të ri të vetëm të unifikuar regjistrimi në të cilin të gjitha të dhënat që lidhen me sigurimet e detyrueshme shoqërore do të mblidhen dhe ruhen në një vend, për të eliminuar dobësitë e sistemit aktual dhe për të krijuar një sistem të ri efikas afatgjatë. Në të njëjtën kohë, regjistrimi në sistemin e sigurimeve shoqërore do të jetë një procedurë e unifikuar, e thjeshtuar dhe e centralizuar dhe me një procedurë me të cilën shërbimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore do të ofrohen më shpejt dhe në mënyrë më cilësore”, thuhet ndër të tjerash në arsyetimin e miratimit të këtij ligji.

    Efektet e këtij ligji priten brenda një periudhe maksimale prej 2 vitesh si periudhë kohore e nevojshme të fillojë zbatimi i plotë i ligjit.

    Institucioni i ri do të ketë drejtor dhe nëpunës, ndërsa puna kryesisht do të bëhet në mënyrë elektronike përmes një sistemi qendror informacioni. Nëpunësit do të mbajnë bazën e të dhënave, do të punojnë me aplikimet dhe çregjistrimet, regjistrimet dhe identifikimin e personave të siguruar, përpunimin e kontributeve të mbledhura, si dhe detyra të tjera. Financimet do të jenë nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat vetanake nga lëshimi i vërtetimeve dhe pagesave vjetore. Gjithashtu parashikohet edhe pagesa e dënimeve prej 200 deri në 400 euro për qytetarët dhe bizneset, nëse nuk i përmbahen paraqitjes me kohë.

    Një hap i tillë për formimin e këtij institucioni imponohet edhe nga raporti i fundit i Entit për Revizion për punën e Fondit Pensional. Për shkak të mungesës së ndarjes së plotë të kompetencave dhe përgjegjësive të punonjësve dhe për faktin se kontrollet e brendshme nuk mbulojnë gjithmonë rrezikun e plotësimit të dokumentacionit në dosjen elektronike të pensioneve, ekziston rreziku i parregullsive në procedurat për njohjen e të drejtave nga sigurimi pensional.

    Shqetësues është fakti që Revizioni ka vërejtur se po bëhen gabime teknike, të cilat mund të sjellin përllogaritje jo reale të pensioneve. “Sistemi elektronik posedon kontrolle të integruara dhe shkarkimeve automatike të të dhënave të përdoruesve, shumave të pagesave dhe koeficientëve të rregullimit të pensioneve, por ndodh që parametrat nga të cilët varet përcaktimi i masës së të ardhurave nga pensioni, për shkak të problemeve teknike, të mos shkarkohen plotësisht i saktë, prandaj ekziston rreziku i gabimeve në llogaritje dhe ka pak siguri për korrigjime pa reagim nga përdoruesi”, thuhet në raportin e Revizionit.

    Përveç problemeve teknike, ka edhe persona të siguruar për të cilët nuk ka të dhëna në regjistrin e Fondit që I detyrohet kryesisht firmave të mbyllura , dhe kanë vështirësi të mëdha në sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për të vërtetuar vjetërsinë nga personat juridikë dhe institucionet përkatëse. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ulçera e stomakut – Plani ushqimor që ju vjen në ndihmë

    Lajmi i rradhës

    RMV, kursime për “ditë të zeza”!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë