RMV, kursime për “ditë të zeza”!

    Si t’i ruajmë kursimet tona për “ditë të zeza” apo për ditë të qeta në moshën e tretë. Në dispozicion kemi disa mundësi siç janë bankat, shtëpitë, fondet pensionale, apo aksionet në kompani, por sa janë të informuar qytetarët për këto mundësi. Ata në shumicën e rasteve shprehen skeptikë duke theksuar se janë shumë pak të informuar dhe se kërkojnë informacione të thjeshta. Në vend ka dy kompani pensionale që janë të detyrueshme dhe një që është vullnetare nga të cilat rregullisht qytetarëve ju dërgohen letra me informacione, por edhe përskaj kësaj ata përsëri mbeten të painformuar mjaftueshëm.

    Nga shoqatat e pensionistëve sqarojnë se fondet e pensionistëve janë fonde të hapura investitore. Sipas deklaratës së tyre fondet pensionale janë të listuara mirë dhe të besueshme si në Evropë ashtu edhe në Ballkan. Nga atje thonë se e rëndësishme është që çdo pensionist të dijë se si funksionojnë fondet dhe çfarë bëhet me kursimet e tyre.

    “Janë kursimet e çdo qytetari të punësuar që mblidhen gjatë periudhës së punës. Pas 1 janarit 2019 çdo punonjësi që bëhet anëtar përveç fondit të parë dhe të dytë të pensionimit, 6% e pagës neto akumulohet në llogarinë e tij personale”, deklarojnë nga atje.

    Përveç fondeve pensionale qytetarët nuk kanë informacione të detajuara as për kursimet aksionare apo për shumëzimin e parave për “ditë të zeza”.

    Një qytetar i moshës së tretë tha se nuk di asgjë por që do donte të dinte më shumë.

    “Çfarë na thonë atë e bëjmë”, shtoi ai. Një tjetër po ashtu i kësaj moshe thotë se është anëtar i fondit të parë pensional por që nuk di asgjë për fondin e dytë.

    “Unë jam anëtar i fondit të parë, ndërsa vajza dhe dhëndri janë në fondin e dytë. Ne e dimë se marrin letra por nuk thonë asgjë se sa dinë apo nuk dinë”, u shpreh ai.

    Tek ne njohuria financiare zakonisht kushtëzohet nga tradicionalizmi, skepticizmi, dhe mosbesimi në institucione. Sipas profesorit universitar Dimko Kokaroskit dhe ish-zëvendësministër i financave sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe qytetarët mbeten konsekuent ndaj kursimeve tradicionale, më shumë kursejnë në banka dhe më pak investojnë në aksione. Rritja e kursimeve sipas tij ka ardhur për faktin se u krijua Fondi i Sigurimit të Depozitave, me të cilin qytetarët ndjejnë një lloj sigurie. “Nuk ka asnjë problem me sistemin bankar ndërsa edhe qytetarët po qëndrojnë konsekuent ndaj tradicionalizmit dhe kursimit klasik. Vlera e përgjithshme e depozitave në denarë dhe deviza është diku 7 miliardë euro”, tha Kokaroski duke shtuar më tej se të pakta janë njohuritë e qytetarëve për aksionet, gjë që siç thotë ai kërkon kohë, njohuri dhe edukim.

    “Ne kemi bursë, aksione, por kjo kërkon kohë, njohuri, arsim dhe para. Përveç fondeve pensionale kursimet më të mëdha janë nëpër banka. ‘Edukim’ ka edhe në faqen e Bankës Popullore por kjo nuk mjafton, janë gjithashtu edhe dhomat e tregtisë, universitetet, qeveritë vendore ato që duhet të inkurajojnë”, tha ai.

    Sipas tij, që paraprakisht të dihet nëse kompanitë do të paguajnë dividentë, duhet që çdo ditë të bëhet monitorimi i aksioneve. “Kjo pjesë është e komplikuar pasi kërkon monitorim të përditshëm. Duhet që paraprakisht të dihet nëse kompanitë do të paguajnë dividentë pasi janë të rralla ata kompani që e garantojnë këtë. E gjithë kjo i pengon qytetarët që të interesohen për pronësinë dhe kursimin e aksioneve. Besoj që cilindo qytetarë që ta pyesni ata nuk do të kenë çfarë të thonë për temën, dhe nuk është faji i tyre për këtë. Ata nuk janë të informuar dhe shkojnë në bazë të tradicionalizmit”, theksoi ai. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Menaxhimi me të dhënat e sigurimit social, pothuajse çdo institucion në RMV vepron kokë më veti

    Lajmi i rradhës

    Ushqimet me vitaminë A – Pse janë jetike për mbrojtjen e syve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë