Vitet e fundit, banorët e Dibrës dhe rrethinës së saj gjithnjë e më shumë po i kalojnë pushimet verore në Shqipëri. Kjo pritet të ndodhë edhe këtë verë. Bregdeti shqiptar është joshës jo vetëm për banorët vendasë, por edhe për mërgimtarët që kthehen në vendlindje nga diaspora, të cilët zakonisht kalojnë rreth një javë në qytete turistike si Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Vlora etj.
Plazhet e bukura dhe infrastruktura rrugore, veçanërisht Rruga e Arbrit, janë dy nga faktorët kryesorë që ndikojnë në zgjedhjen e bregdetit shqiptar për pushime. Agjencitë turistike në të dy anët e kufirit, si dhe vetë dibranët, theksojnë se bregdeti shqiptar është gjithnjë e më atraktiv për pushimet verore.
Një pjesë e dibranëve i kanë nisur pushimet që në mesin e muajit qershor, për shkak të temperaturave të larta në bregdet. Agjencitë turistike në Dibër dhe Peshkopi informojnë se destinacionet më të preferuara nga dibranët janë Durrësi, Shëngjini, Velipoja dhe Vlora. Megjithatë, ka edhe nga ata që zgjedhin bregdetin e Jonit në jug të Shqipërisë.
Gjatë një vizite të gazetës Koha në Durrës, u informuam se shumë dibranë janë aktualisht me pushime atje dhe pritet të qëndrojnë edhe javët në vijim. Ata kryesisht akomodohen në apartamente private. Rasnim T. nga Dibra, që po pushon me familjen në Durrës, shprehet i kënaqur me kushtet e akomodimit.
“Çmimet janë më të larta se vitet e kaluara, si për akomodim ashtu edhe për ushqim, por uji, rëra dhe dielli në Durrës janë fantastikë. Kam ardhur dy vitet e fundit dhe do të vazhdoj të vij edhe në të ardhmen”, thotë ai.
Sipas bashkëqytetarëve të tij, Astriti dhe Besimi, të cilët janë në Durrës që prej një jave, aktualisht në plazhet e qytetit ndodhen mbi 300 dibranë. Në mbrëmje, shumë prej tyre shëtisin në bulevardin bregdetar të Durrësit, ku shprehen të kënaqur me kushtet dhe çmimet e arsyeshme. Ata thonë gjithashtu se shumë bashkëqytetarë të tyre ndodhen në pushime edhe në zona të tjera bregdetare të Shqipërisë.
Piku i pushimeve pritet kah fundi i muajit korrik. Hapja e Rrugës së Arbrit, e cila mundëson që nga Dibra në Durrës të arrihet për vetëm 90 minuta, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të pushuesve. Me fillimin e sezonit, kompanitë e transportit kanë organizuar linja të rregullta nga Dibra drejt Tiranës dhe qyteteve bregdetare. Falë afërsisë dhe rrugës së re, udhëtimet janë bërë më të lira dhe më të përshtatshme. Transportuesit thonë se kanë ulur çmimet e biletave, ndërsa disa e përshkruajnë Dibrën si “lagjen më të re të Tiranës”.
Sipas shoqatave të mërgimtarëve, edhe dibranët që jetojnë jashtë vendit do të vizitojnë vendlindjen këtë verë dhe do të pushojnë në bregdetin shqiptar.
Megjithatë, një pjesë më e vogël e dibranëve kanë zgjedhur të kalojnë pushimet jashtë vendit, kryesisht në Turqi, Mal të Zi dhe Greqi, përmes agjencive turistike. Këto agjenci theksojnë se vitet e fundit ka një rënie të ndjeshme të interesit për këto destinacione dhe një rritje të vazhdueshme të pushimeve brenda Shqipërisë.