Ekonomia në RMV nuk prodhon mirëqenie

    Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka akoma shumë punë për të bërë për siguruar rritje të vazhdueshme të prodhimtarisë, punësimit dhe për të siguruar mirëqenie së popullsisë.

    Me fjalë tjera, konkurrenca e ekonomisë vendore në tregun botëror dhe në raport me ekonomitë e huaja, akoma lë për të dëshiruar. Njëherësh një nga objektivat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian është edhe aftësia e ekonomisë vendore që të garojë me ekonomitë e tjera evropiane dhe më gjerë.

    Ekonomistët vlerësojnë se vendi akoma nuk është tërësisht i përgatitur për tregun evropian, ku si sfida dhe probleme serioze theksojnë konkurrencën dhe produktivitetin. Akademik Taki Fiti thotë se nuk jemi plotësisht të gatshëm për të hyrë në tregun evropian, duke shtuar se ky është një proces që nuk mund të realizohet menjëherë. Sipas tij, ekonomia vendore ka anët e saja të dobëta por edhe të fuqishme në këtë drejtim.

    “Vendi është më i dobëti në domenin e institucioneve, por dobësi serioze janë konstatuar në sistemin arsimor në të gjitha nivelet. Në arsimin e lartë gjërat janë rikthyer dhe janë në një situatë më të keqe se në vitet e hershme të tranzicionit. Megjithatë, ne kemi edhe disa përparësi, si stabiliteti makroekonomik dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, ndërsa një nga pikat e forta është klima e biznesit”, shton Fiti.

    Bashkëpunimi rajonal, thekson ai, nuk mund të jetë alternativë për BE-në, por intensifikimi i tij përshpejton procesin e integrimit evropian. Sipas tij, lidhur me produktivitetit dhe konkurrencës, vendi do të ketë pengesa serioze nëse do të dilte nesër në tregun e përbashkët.

    “Për nga konkurrueshmëria jemi në vendin e 82-të mes 141 vendeve dhe për nga produktiviteti kemi një situatë jashtëzakonisht të keqe, si sipas Prodhimit të Brendshëm për punëtor, ashtu edhe sipas vlerës së shtuar të krijuar rishtazi për punëtor ku ngecim ndërmjet 2.5 dhe 4 herë në raport me mesataren evropiane. Kriza e pandemisë theksoi problemet në shëndetësi, ndërsa ekzistojnë problem edhe me inovacionet”, shprehet Fiti.

    Edhe njohësit e tjerë të ekonomisë vlerësojnë se ekonomia vendore nevojitet të rrisë konkurrencën e saj para aderimit të Maqedonisë në BE. Profesori i ekonomisë Leonard Nakov thotë se Maqedonia duhet të kuptojë se një nga çështjet kryesore do të jetë mbrojtja e vendeve të punës. Në çdo rast, do të na duhet të përcaktojmë degët kryesore ekonomike interesante që kontribuojnë më shumë në konkurrencën tonë.

    “Duhet të fokusohemi në industrinë e përpunimit të ushqimit, por edhe në arritjen e standardizimit dhe cilësisë. Në tregjet e huaja prodhimet janë të unifikuara sepse vëmendje i kushtohet shëndetit. Për më tepër kjo periudhë deri në anëtarësimin e vendit duhet të shfrytëzohet për të rritur konkurrencën në nivel lokal, për shkak se bizneset nga Maqedonia do të ndeshen me prodhimet e huaja me një çmim më të ulët, ku pas hyrjes tonë edhe kompensimet doganore do të ulen.

    Nevojitet të fillohet me krijimin e brendeve, përderisa në atë lëmi që do të specializohemi ajo duhet të jetë e vlefshme, e rrallë dhe e pa kopjueshme, ku përparësia jonë është në gjërat që kërkojnë punë intensive. Puna e lirë nuk do të jetë më përparësia jonë. Vlera që kanë punonjësit tanë do të jetë tërheqëse për partnerët evropianë”, konstaton Nakov.

    Në ndërkohë, raporti i fundit për konkurrencë globale, ku Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 82-të tregon se përkundër përmirësimeve të caktuara, megjithatë si shtet kemi akoma shumë punë të bërë në aftësimin e ekonomisë vendore të jetë e aftë dhe e gatshme që të garojë në ekonominë globale.

    Raporti përfshin më shumë se 100 indikatorë ku ndër dobësitë kryesore që theksohen janë stagnimi i punës së institucioneve, ngecjes në zgjidhjen efikase të kontesteve juridike në raport me biznesin etj. Problem në vete është edhe ai fuqisë punëtorë që prodhojnë universitetet vendore që nuk përkon me kërkesat e biznesit. Ajo që është shqetësuese për shtyllën e parë ku janë institucionet, Maqedonia renditet e 85-ta, gjë që tregon se biznesi ka vështirësi institucionale në funksionimin e tij. Gjithashtu, në shtyllën e dytë – Infrastruktura, e cila është shumë e rëndësishme për një ekonomi të shëndetshme, vendi ynë renditet i 75-ti , gjë që tregon se kërkesat e odave ekonomike, për realizimin e investimeve kapitale në infrastrukturë janë më se të rëndësishme.

    Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm për ekonomitë është arsimimi dhe trajnimi cilësor i fuqisë punëtore, ku Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 83-të, ndërsa në nën shtyllat që vlerësojnë cilësinë e arsimit profesional renditet në vendin e 131-të , çka dëshmon edhe një herë se në vendin tonë ka mungesë të fuqisë punëtore adekuate, apo fuqi punëtore që i përgjigjet kërkesave të tregut. Sistemi financiar sipas këtij raporti tregon se vendi renditet në pozitën e 83-të, ndërsa mbështetja me kredi e motorit të ekonomisë, përkatësisht sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, renditet në vendin e 115-të . Ky tregues konfirmon pamundësinë e aksesit në financim për bizneset e vogla dhe të mesme.

    Ndryshe, ndër pesë vendet e para në Listën e Konkurrencës Globale janë Singapori, SHBA, Hong Kongu, Holanda dhe Zvicra. Në top dhjetësh renditen edhe vendet me ekonomi shumë të zhvilluara si Japonia, Gjermania, Suedia , Mbretëria e bashkuar dhe Danimarka. Vendet me probleme të shumta, jostabilitet politik, që vuajnë edhe nga luftërat civile si Haiti, Jemeni dhe Çadi renditen në vendet e fundit. Në rajon, Bosnja e Hercegovina është në vendin e 92-të, Maqedonia e Veriut është në vendin e 82-të, dhe Shqipëria renditet në vendin e 81-të. Kroacia është në vendin e 63-të, Mali i Zi i 73-ti, Rumania e 51-ta, Bullgaria e 49-ta, Hungaria e 47-ta dhe Sllovenia është në vendin e 35-të. Turqia renditet në vendin e 61-të, ndërsa Greqia renditet në vendin e 57-të. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Partitë, në kërkim të votave për ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    Inflacioni nuk i ndal qytetarët e RMV për pushime!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë