Mërgimtarët të pakënaqur me institucionet vendore

    Ibrahim Shemsedini, një mërgimtar nga komuna së Tearcës ka drejtuar akuza ndaj pushtetit lokal dhe ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tearcë. Ai është ankuar se në komunën e Tearcës ka hasur në dyer të mbyllura gjatë tentimit për të paguar faturën e ujit .Ai është shprehur I dëshpëruar me gjendjen në vendlindjen e tij dhe thotë se krahas gjithë problemeve administrative, problem në vete është edhe infrastruktura. Krahas kësaj, ai ka shkuar në Stacionin Policor në Tearcë për të lajmëruar qëndrimin e gruas së tij gjermane në këtë rajon. Thotë se gjatë tërë javës ka marrë përgjigje se nuk ka kartonë për të paraqitur gruan e tij.

    “Jam kthyer në vendlindje dhe kam ndërtuar një shtëpi por këtu asnjë nuk ka mbetur. Nuk ka kartona për ta paraqitur gruan time, gati se një javë jam këtu, por nuk ka kartona. Uji nuk pihet këtu, në Tearcë uji ka qenë më i mirë e tash është më i keqi në Maqedoni, duhet me e blejtë ujin në shitore. Kjo është turp. Për sa i përket rrugëve, ata i kanë prishur sepse i kanë bërë kanalizimet, askund kanalizimi nuk është, gypat i kanë vendosur mes rrugës, nuk bëhet kanalizimi mes rrugës dhe i kanë prishur rrugët. Kam ardhur në komunë për të parë a kam borxh, desha ujin ta paguaj, por ishte mbyllur. Krejt kjo ka bërë që unë të shoh mundësinë që mos vij më, pasi që më herët vija dy ose tre herë brenda vitit, në të ardhmen nuk do të vij”, tha Ibrahim Shemsedini.

    Në ndërkohë lidhur me akuzat drejtuar ndaj komunës, kryetari i kësaj komune Nuhi Neziri, është shprehur se në këtë periudhë të gjitha ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale janë në terren për shkak të defekteve në rrjetet e ujësjellësit. Për sa i përket infrastrukturës, kreu i komunës së Tearcës Neziri është shprehur se aktualisht punohet në kanalizimin në fshatin Tearcë dhe për rrjetin e sistemit të ujitjes prandaj edhe infrastruktura është mjaft e dëmtuar, por ai tha se kjo tregon se komuna është duke punuar. “Ne i kemi ekipet në terren për shkak të emergjencave me ujin e pijshëm, kurse tek ndërmarrja publike nuk i kemi të ndarë punëtorët në administratorë dhe punëtorë tereni, sipas nevojës të gjithë dalin në terren sepse janë të kyçur në projektet që realizohen në komunën tonë”, tha Neziri.

    Ndryshe, gjatë verës në rajonin e Pollogut është periudha kur kthehen mërgimtarët në vendlindje. Pjesa më e madhe e tyre duhet që të lajmërojnë në stacionin më të afërt qëndrimin e tyre. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    A rrezikohen të mbeten pa punë biologët, historianët, fizicientët dhe kimistët?

    Lajmi i rradhës

    Nga tetori do të ketë linjë ajrore direkt nga Shkupi në Sarajevë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë