Merita rrëfen për keqtrajtimin që shteti austriak ia ka bërë me dokumente për vizë deri te mohimi i bashkimit familjar

    Merita Hoxha-Maksuti, e cila është nënë e një vajze të vogël, ka rrëfyer për maltretimin që shteti austriak ia ka bërë me dokumente për vizë deri te mohimi i bashkimit  familjar.

    Në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se Ambasada e Austrisë në Shkup përfundimisht ia ka pamundësuar bashkimin me vajzën e saj Majën, për të cilën shprehet se është duke i kaluar momentet më të vështira të jetës.

    Ajo shpjegon se neglizhenca kishte filluar në institucionet e Kosovës duke vazhduar edhe në ato të ambasadës së Austrisë.

    “Ambasada e Austrisë i’a dha shkelmin e fundit shpresës që e kam ruajtur gjatë këtyre muajve të tmerrshëm. Është diçka e jashtëzakonshme me i’a mohu një nëne të drejtën e kujdesit për fëmijën e saj të sëmurë, por drejtësia nuk duket se ka rëndësi kur vjen puna te burokracia e ambasadave”, ka shkruar Merita.

    Tutje tregon se përkundër që ka aplikuar katër herë radhazi, i është refuzuar viza.

    Sipas saj, Ambasada e Austrisë në Shkup, i kishte kërkuar akomodimin dhe po ashtu biletat, për të cilat thotë se ka paguar katër herë, por sërish i ishte refuzuar.

    “Njëherë filluam me një dokument, pastaj me një tjetër, dhe tash – pas katër aplikimeve të njëpasnjëshme – Ambasada e Austrisë në Shkup, pa pikë turpi ma mohoi prapë vizën për këtë shtet. Në fillim na thanë që veç bileta e aeroplanit me u ble, viza është e garantuar. Kur e blemë të parën herë, mungoi edhe diçka. Të dytën u shtua edhe një dokument. Tash, pas katër biletave të blera, dhjetëra akomodimeve të siguruara, e qindra shpenzimeve tjera të humbura kot, Ambasada e Austrisë në Shkup vendosi që prapë kjo vizë është e paarritshme për mua. Pa arsye”, shton më tej.

    Nëna e Majës kishte pasur ftesë nga spitali më prestigjioz i Austrisë, përfshirë edhe dokumentacionin që garanton që ky spital ka marrë fonde prej 10 mijë euro, por as këto ambasadës nuk i janë dukur të mjaftueshme për t’ia dhënë vizën.

    “Arsyeja dhe shpjegimi mungojnë, sepse nuk ka asgjë të arsyeshme për këtë ndodhi. Një shtet që ndan nënën prej fëmijës së saj nuk është aspak demokratik, por përkundrazi, shfaq diktaturën më të pështirë që mund të ekzistojë. Ftesa e spitalit më prestigjioz të Austrisë nuk qenka kauzë e mjaftueshme që unë të bashkohem me vajzën time. As dokumentacioni që garanton që ky spital ka marrë fonde prej 10.000€ për vajzën time. Thasët me dokumente të nënshkruara, noterizuara e detajuara deri në skaj nuk po vlejtkan gjë. Shkatërrimi financiar, emocional, fizik e shpirtëror, as që diskutohen. Kjo pra, është si trajtohet një qytetar i thjeshtë i këtij vendi”, vazhdon rrëfimi, shkruan Telegrafi.

    Sipas saj, sjellja e stafit të ambasadës, maltretimet e shërbyesve, neglizhenca e institucioneve e kanë shtyrë që të heqë dorë prej këtij rrugëtimi ligjor.

    “Ndonëse kam pasur vazhdimisht përkrahjen financiare, emocionale dhe fizike të vëllait tim, ta ndjekësh një rrugë që s’ka fund nuk i duhet tash personit për të cilin po bëhet e gjithë kjo – Majës time të vogël. Shëndeti i saj po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa ambasadat tona po luajnë me fatin e saj sipas qejfit të tyre”.

    Pas gjithë kësaj, Merit ka vendosur që të mos i ndjekë më rrugët ligjore, por të vazhdojë në mënyra të tjera rrugëtimin për vajzën e saj.

    “Kjo më ka shtyrë që unë të nis një rrugëtim tjetër, të pasigurt e të kundër dëshirës time. Pasi ligjit nuk do t’ia dijë për mua, unë do të nisem për Austri në mënyrë jo ligjore. Asgjë në këtë botë s’do të mund të më ndajë nga Maja ime. Por, barrën e çdo ndodhie, problemi, rreziku e fatkeqësie, le ta mbajnë ata që më detyruan me forcë që ta ndërmarr këtë rrugë”.

    “Ju qoftë me shëndet jeta ime e e bijës sime”.

    “PS: I’u ftoj që të bëni tag sa më shumë ambasadën e Austrisë në Shkup, në mënyrë që ky informacion të arrijë tek Ambasadori”, ka shkruar ajo në fund.

    Lajmi Paraprak

    Kurti: Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi

    Lajmi i rradhës

    Facebooku si Godzilla: Kur mania bëhet problem!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë