Kryetarit të Strugës Ramiz Merko i është ndaluar të udhëtojë jashtë shtetit. Gjykata e Strugës miratoi vendimin për marrjen e pasaportës dhe dokumenteve të tjera personale dhe caktoi masa kujdesi respektivisht një herë në javë të paraqitet në gjykatë.
“Masat janë kërkuar për shkak të rrezikut të arratisjes, duke marrë parasysh se gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka ngritur një akuzë tjetër ndaj Ramiz Merkos. Duke marrë parasysh se i akuzuari është funksionar publik për shumë vite, kundër të cilit Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka ngritur disa akuza brenda një periudhe të shkurtër kohore këtë vit dhe tashmë janë në proces tetë raste gjyqësore për vepra penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare dhe neglizhencë në detyrë, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se ekziston rrezik real që i akuzuari të përpiqet të shmangë ndjekjen penale”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Strugë.
Ndërkohë, sot Prokuroria dorëzoi propozim akuzë tjetër kundër Merkos.
“Si kryetar i Strugës, në mars të këtij viti, ai ka vendosur një monument përkujtimor – një pllakë në hyrje të godinës së komunës, me të cilën ka nxitur urrejtje dhe përçarje etnike mes banorëve të Strugës, duke kryer një vepër penale të parashikuar në nenin 27 të Ligjit për Monumentet dhe Përkujtimoret”, thuhet tutje nga Prokuroria Themelore Publike Strugë.
Bëhet fjalë për një pllakë përkujtimore e cila ishte vendosur në hyrje të ndërtesës së komunës, ku shkruhej: Shkolla Fillore “Kongresi në Manastir” – 1 Shtator 1941. Nga VMRO-DPMNE atëherë reaguan se ajo ishte vendosur jashtë të gjitha procedurave ligjore, pa votim të Këshillit sipas sistemit të Badenterit, me ç’rast lavdërohej periudha fashiste kur Struga ishte nën okupimin italian dhe bashkëpunëtor i saj ishte Mbretëria e Shqipërisë.
Avokati i Merkos, Igor Petkovski, ka dorëzuar ankesë ndaj këtij vendimi. Ai thotë se klienti i tij nuk ka marrë akuzën, por vetëm vendimin për masat e kujdesit.
“Si mbështetje të këtyre pretendimeve, ne dorëzojmë edhe prova nga të cilat rezulton se procedura administrative është përfunduar me vendim të formës së prerë, çka çon në përfundimin se procedura penale nuk duhet të fillojë, duke pasur parasysh se ekziston ndalim ligjor për ndjekje dhe gjykim për të njëjtën vepër”, tha Igor Petkovski, avokati i Merkos.
Aktualisht, kundër Merkos janë në zhvillim gjithsej nëntë procedura gjyqësore aktive, ku në secilën prej tyre ai përballet me dënim me burg, njoftojnë nga prokuroria e Strugës. Proceset gjyqësore kanë të bëjnë me emërime të paligjshme të drejtorëve në disa shkolla fillore në Strugë dhe rrethinë, si dhe për blerjen e një Audi A6 luksoz, kur komuna kishte llogari të bllokuar bankare. /Alsat/