Mesatarja e lartë, pagat e ulëta!

    Gati 800 euro apo 48.779 denarë ka arritur paga mesatare në Maqedoni. Në muajin prill 2026, krahasuar me prillin 2025, paga mesatare mujore neto e paguar për punonjës ishte 7.3 për qind më e lartë. Kjo rritje është kryesisht për shkak të rritjes së pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Aktivitete financiare dhe të sigurimeve me 27.0 për qind, Furnizim me ujë; largim i ujërave të ndotura,menaxhim i mbeturinave dhe aktivitete të përmirësimit mjedisor me 9.4 për qind dhe Tregti me shumicë dhe pakicë; riparim i automjeteve dhe motoçikletave me 9.2 për qind.

    Paga më e ulët mesatare me afër 35 mijë denarë është regjistruar në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, e pasuar me afërsi 37 mijë denarë në bujqësi. Nga ana tjetër gati 87 mijë është paga në sektorin e teknologjisë informatike, e pasuar me afër 78mijë denarë në sektorin financiar dhe sigurime. Përderisa pagat në veprimtaritë e tjera luhaten ndërmjet 40 dhe 50 mijë denarë. Nga ana tjetër, analizat e Sindikatave bazuar në të dhënat e Tatimorëve zbulojnë se në vitin 2025,pothuajse tre të katërtat e punonjësve merrnin një pagë më të ulët se mesatarja zyrtare çdo muaj. Me fjalë tjera, 73 për qind e punonjësve ishin nën mesataren mujore në çdo muaj të vitit 2025. Të dhënat më tej tregojnë se nga çdo 100 punonjës, 50 fitojnë nga 24.380 deri në 36,900 denarë.

    Kur pagat ndahen sipas diapazonit, shpërndarja bëhet shumë më e qartë. Mesatarisht në vitin 2025, 50për qind e punonjësve, apo pothuajse çdo i dyti, fitonin një pagë midis 24.380 dhe 36.900 denarë. Ky është grupi më i madh në shpërndarje: mbi pagën minimale, por nën mesataren mujore.

    Së bashku me ata që ishin në ose nën pagën minimale, 52.9 për qind e punonjësve fitonin deri në vetëm 36.900 denarë. Kur punonjësit me një pagë prej 36.901 denarë shtohen në mesataren mujore, pjesa arrin në 73.1 për qind. Në anën tjetër të shpërndarjes, vetëm 3.4 për qind e punonjësve fitonin mesatarisht më shumë se 100,000 denarë në muaj. Paga mesatare nuk është e pasaktë, por në vetvete nuk tregon se si shpërndahen pagat. Pagat më të larta e tërheqin mesataren aritmetike lart, kështu që mesatarja mundtë jetë më e lartë se paga e shumicës. Prandaj, pa të dhëna sipas diapazonit të pagave, paga mesatare jep vetëm një pjesë të pamjes,thekson më tej analiza.

    Një pjesë e ekonomistëve me vite kërkojnë që statistikat shtetërore të llogarisin, përskaj pagës mesatare – edhe të ashtuquajturën pagë “mediale” që merr parasysh jo vetëm të ardhurat e punëtorëve, por edhe përqindjen e punonjësve që marrin një shumë të caktuar. Vlerësohet se paga mesatare nuk pasqyron realisht standardin jetësor dhe të ardhurat reale të çdo punonjësi, andaj sugjerohet që të shikohet se cila është ajo pagë qe merr punonjësi ku 50 për qind marrin më pak dhe 50 për qind marrin më shumë.

    Paga mediale, sipas ekspertëve do të jepte një pasqyrë më të qartë të standardit tonë, llogaritet po aq lehtë sa mesatarja. Këtu merret parasysh edhe shuma e pagave, por edhe përqindja e të punësuarve,pra kush sa paga merr. Duke vepruar kështu, përcaktohet një pesëdhjetë për qind, si pikë nën dhe mbi të cilën merret një shumë e caktuar pagash. Koha

    Lajmi Paraprak

    Qeveria: do të ndëshkohet cilido që është përgjegjës për ujin në Gostivar

    Lajmi i rradhës

    Dy kilometërshi i parë i autostradës Shkup – Bllacë, fatal për tre shtetas nga Kosova

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë