Mësimi me një ndërrim zbatohet në një shkollë në Tetovë

    Paralajmërimi i bërë nga Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, të mësimit me një ndërrim nuk është ndonjë risi për autoritetet e komunës së Tetovës, pasi që ky ka qenë edhe një premtim elektoral i kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

    Nga komuna e Tetovës thonë se kanë bërë një plan të riorganizimit të shkollave dhe presin që në koordinim me pushtetin qendror të zbatohet ky plan. Sipas drejtuesve të Sektori për Arsim në komunën e Tetovës plani për mësim me një ndërrim ka filluar të realizohet që nga hapja e shkollës fillore në Reçicë të vogël.

    “Faza tjetër pritet që të realizohet me transferimin e shkollës së mesme 7 Marsi tek objektet e ish shkollës së mesme të mjekësisë. Pra, me këtë objekti aktual i shkollës së mesme 7 Marsi do të lirohet për tre shkolla tjera që do të mund të ndjekin mësimin me një ndërrim. faza tjetër do të vazhdojë me hapjen e shkollës së re në lagjen Dardania ku aty do të parashihen që tre shkolla të marrin pjesë në këtë projekt. Përfitimet i shohim tek shkolla fillore Besa në Reçicë të vogël sepse janë përgjysmuar harxhimet në pjesën e rrymës elektrike edhe procesi edukativo-arsimor është më efikas”, tha Valedin Ademi udhëheqës i Sektorit për Arsim në komunën e Tetovës.

    Nga komuna e Tetovës megjithatë nënvizojnë se reformat e reja në këtë drejtim kanë kosto të lartë dhe duhet një punë e madhe.

    “Pasi që komuna e Tetovës ka 12 shkolla fillore dhe 5 shkolla të mesme, ku nga të dhënat që i kemi siguruar, ka nevojë për anekse tjera apo klasa shtesë edhe është një projekt i madh. Kështu që shpresojmë që të fillohet me realizimin në praktikë të kësaj reforme në arsimin fillor dhe të mesëm dhe i njejti të zbatohet deri në fund”, tha Ademi.

    Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vensa Janevska, kohë më parë ka thënë se benefitet e punës me një ndërrim janë të mëdha. Sipas saj, benefiti i parë është për fëmijët që të mësojnë në mëngjes, ndërsa i dyti, është treguar në vendet më të zhvilluara, se qëndrimi i zgjatur i fëmijëve në shkollë jep rezultate më të mira në arsim.

    “Kur themi me një ndërrim, kjo do të thotë që nxënësit do të jenë tetë orë në shkollë, por nuk do të thotë se ata do të mësojnë vazhdimisht tetë orë mbi libër ose do të kenë mësimdhënie, por përkundrazi do të përfitojnë mësimdhënie, do t`i kryejnë detyrat e shtëpisë, do të mësojnë, do të kenë aktivitete mësimore plotësuese, mësim shtesë dhe plotësues, seksione, do të kenë aktivitete jashtëshkollore, më shumë aktivitete fizike, më shumë edukim informatik, arsim teknik, pikërisht atë që e kërkon koha moderne si arsim”, tha Janevska. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Të gatshëm për ndryshime kushtetuese, Mucunski thotë se kjo do të bëhet vetëm me prapaveprim

    Lajmi i rradhës

    Kërkohet revitalizimi i fshatrave në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë