Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i bëri thirrje Arben Taravari që të reflektojë, pasi siç tha, ai është pjesë e VLEN-it dhe e duan që të jetë brenda koalicionit. Mexhiti tha se edhe qytetarët dhe votuesit kërkojnë që subjektet politike të shkrihen në VLEN, që siç tha, në këtë formë ka konkurrencë mes partive shqiptare dhe njëkohësisht nuk digjet vota.
“Edhe publikisht e ftojë që të reflektojë z.Taravari. Është pjesë e VLEN-it, e dëshirojmë brenda VLEN-it. Qytetarët kërkojnë që subjektet të shkrihen në një subject të vetëm që të ketë dy tabore politike në kampin politik shqiptar, kjo është opsioni më i mirë, të ketë konkurrencë mes shqiptarëve. Mos të jetë një subjekt por të mos jenë as 10 që të përçahet dhe të digjet vota shqiptare”, tha Mexhiti.
Taravari tha se Mexhiti ka komunikim me Xhaferin dhe Deharin, Mexhiti: komunikojmë me të gjithë, kjo dallon nga marrëveshja politike
“Unë dua të jem i sinqertë deri në fund. T’ia sqaroj opinionit deri në fund. Për shembull zotëri Mexhiti ka komunikim me plot njerëz në BDI. Nëse jo me Ali Ahmetin? Ka me Musa Xhaferin. Ose ka me Fatmir Deharin. Ose ka me një eksponent”, kështu tha mbrëmë në Click Plus Arben Taravari, për të cilën iu përgjigj Izet Mexhiti, që siç tha, komunikon me të gjitha partitë dhe deputetët, por kjo dallon nga marrëveshja politike. Siç shtoi Mexhiti, komunikojnë me të gjithë që komunikojnë me ta, pasi nuk janë në hasmëri ose në luftë të vertet.
“Nuk është mirë t’i relativizojmë gjërat, komunikimi dhe marrëveshja politike dallojnë shumë si terme. Ne komunikojmë me gjithsecilin, pra në parlament komunikojmë me deputetë, në restorante, në bufe, në holle, në institucione të tjera, gjatë përditshmërisë takohemi dhe flasim se fundi fundit nuk kemi hasmëri as nuk jemi në betejë, luftë të vërtetë, komunikojmë me secilin që komunikon me ne. Unë nuk fsheh që komunikojë me të gjitha subjektet politike, përshëndetem, flas, mund të pijë edhe ndonjë kafe por kjo është komunikim. Ne mbrëmë e ftuam z. Taravari të reflektoj sepse flitet dhe ka informata dhe vetë e ka vërtetuar që ka bisedime me z.Ali Ahmeti, me BDI-në. Brenda VLEN-it gjithçka është e lejuar, është legjitime edhe për ndërtim pozicionesh, edhe për ndërtim idesh, mirëpo demokracia ka një rregull”, tha Mexhiti.