Mickoski: Berbok nuk më bindi për ndryshimet kushtetuese

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se po përballet me presion për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, VMRO-DPMNE tani është parti e konsoliduar, për dallim nga periudha e Marrëveshjes së Prespës dhe nuk do t’i nënshtrohet presioneve. Këtë përgjigje ai e ka dhënë i pyetur për presionin e mundshëm diplomatik për të mbështetur ndryshimin e Kushtetutës dhe ka shtuar se në periudhën e kaluar ka pasur një numër të madh takimesh për të cilat opinioni nuk ishte i informuar.

    “Presionet do të vazhdojnë. Nëse mendoni se do të heqin dorë, nuk do të heqin dorë, sepse Qeveria kërkon që të bëjnë presion. Nuk ka problem. Nuk e kam problem t’i duroj ato presione. Këto presione ekzistojnë dhe do të vazhdojnë. A janë të ashpra? Po, janë presione të ashpra”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Së fundi, dje nga Shkupi ministrja e jashtme gjermane Analena Berbok tha se çështja e ndryshimeve kushtetuese të mos jetë temë e politikës ditore dhe të mos përdoret për qëllime partiake-politike. Berbok shprehu optimizëm se ndryshimet kushtetuese do të miratohen deri në dhjetor të këtij viti. Mickoski, megjithatë, thotë se shefja e diplomacisë gjermane në takimin e djeshëm nuk ka arritur ta bind.

    “I kam deklaruar qëndrimet tona, argumentet tona… Nga ana tjetër, nuk do të flas për detaje, sepse nuk është e denjë. Megjithatë, supozoj se pala tjetër do t’i thotë detajet për gjërat që thoshin, por nuk dëgjova argumente të mjaftueshme për të më bindur që të ndryshoj qëndrim, respektivisht t’i tejkalojnë argumentet e mia”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Më parë në vend për vizitë ishin edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së, Zhosep Borrell dhe Oliver Varhejli. Të dy thanë se është e nevojshme të krijohet një shumicë prej dy të tretash për të vazhduar procesin e negociatave të vendit. Sipas Borrelit, është joreale të mendohet se marrëveshjet e arritura dhe korniza negociuese mund të ndryshohen, siç pret Mickoski. Megjithatë, kreu i opozitës ka përsëritur sot se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese në këtë përbërje parlamentare nën diktimin bullgar. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nëntëvjeçari nga Kina thyen rekordin e shpejtësisë së zgjedhjes së kubit të Rubikut

    Lajmi i rradhës

    Qindra vende të lira të punës për sezonin turistik në Ohër dhe Strugë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë