Mickoski: E mbështes Ukrainën!

    Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, thotë se para tri javësh në takim me ambasadorin rus Sergei Baznikin i tha se e përkrah integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës, përcjell Nistori.

    “Më pyesin për qëndrimin në lidhje me agresionin rus ndaj Ukrainës, kurse brejtësit partiakë të LSDM-së dhe BDI-së do të thonë më tej se nuk kam pasur qëndrim duke pritur për kockën që duhet ta marrin nga pronari me paratë e vjedhura publike. Qëndrimin tim e deklarova qartë dhe personalisht njëzet ditë më parë në një takim me ambasadorin e Federatës Ruse në Maqedoni: “Integriteti territorial i Ukrainës, si dhe i çdo vendi sovran është konstant dhe duhet respektuar, dhe të gjitha pikëpamjet e ndryshme për momentin, çështjet të zgjidhen në rrugë diplomatike”, ka shkruar kreu i partisë më të madhe opozitare në Facebook.

    Ai shtoi se ajo që Maqedonia mund të bëjë vetëm në këtë situatë është të sigurojë pasoja sa më të vogla për ekonominë e saj.

    “Më vjen keq që nuk mund të bëj më shumë dhe do të bëja çmos për të parandaluar vuajtjet e civilëve dhe viktimave të pafajshme njerëzore. Por ajo që është gjithashtu e rëndësishme për mua si njeri dhe maqedonas, si do të përballet Maqedonia me sfidat aktuale në aspektin ekonomik dhe energjetik, cilat janë rezervat që ka Maqedonia në krizën e ardhshme, a do të vazhdojë krimi dhe korrupsioni si dhe shitja e interesave kombëtare”, ka shkruar i pari i VMRO-së.

    Mickoski shtoi se, detyra e politikanëve është të bëjnë paqe, të ndërtojnë miqësi dhe t’i japin një shans diplomacisë. Të ruhet e drejta dhe parimet ndërkombëtare, të ndalet agresioni dhe të respektohet integriteti territorial i çdo shteti të pavarur dhe sovran. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Katër llojet e bullizmit që duhet të njohë çdo prind

    Lajmi i rradhës

    Chefchaouen, qyteti me ngjyrë të kaltër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë