Bashkimi Demokratik për Integrim ka lëshuar sot akuza ndaj VELN-it për korrupsion në Ministrinë e Mjedisit dhe mostransparencë në ndarjen e fondeve në Ministrinë e Kulturës. Nga ana tjetër, VLEN ka reaguar duke thënë se BDI është mirë të bëjë veting brenda në parti duke filluar nga Bujar Osmani.
“BDI denoncon edhe njëherë skandalin e rëndë të korrupsionit në Ministrinë e Mjedisit, ku pas një kontrolli të Inspektoratit për Administratë, është konfirmuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe kabinetit të tij. Por pyetja që mbetet pa përgjigje është: Çfarë roli ka shefi i kabinetit të Mexhitit në këtë aferë? Burime të besueshme nga brenda Ministrisë së Mjedisit raportojnë se shefi i kabinetit të Mexhitit ka qenë figura kyçe në skemën e kushtëzimeve dhe ryshfeteve, duke ushtruar presion ndaj kompanive dhe qytetarëve për çdo shërbim administrativ”, thuhet në akuzën e BDI-së.
Nga licencat dhe lejet mjedisore, sipas BDI-së, deri te procedurat e zakonshme burokratike, “asgjë nuk kalonte pa miratimin e tij dhe skemave korruptive të drejtuara nga kabineti i Mexhitit”.
“Të njëjtët individë kanë qenë të përfshirë në skema të ngjashme korruptive edhe në Komunën e Çairit, duke e shndërruar atë në një makth urbanistik për qytetarët. Përmes lejeve të dhëna në mënyrë korruptive, ata kanë degraduar hapësirën urbane dhe kanë shkatërruar cilësinë e jetës në këtë zonë”, theksojnë nga kjo parti.
BDI kërkon nga institucionet hetimore që të zgjerojnë hetimet jo vetëm ndaj Mexhitit, por edhe ndaj personave kyç në kabinetin e tij, përfshirë shefin e tij të kabinetit, “i cili për muaj me radhë ka drejtuar një sistem të mirëorganizuar të shantazhit dhe korrupsionit brenda Ministrisë së Mjedisit”.
Kjo parti ka lëshuar akuza edhe ndaj Ministrisë së Kulturës, ku thonë se Saranda Ademi, e cila është shefe kabineti në partinë e zv. kryeministrit Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike, është emëruar si anëtare e komisionit të muzikës. Kjo, sipas BDI-së, ngritë dyshime serioze mbi transparencën dhe integritetin e ndarjes së fondeve për projektet kulturore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Kryeministri Hristijan Mickoski në konferencë për media u pyet lidhur me pretendimet e BDI-së, për skandal korruptiv të shefit të kabinetit të zv. kryeministrit Izet Mexhiti.
Mickoski tha se ka besim në punën e Izet Mexhitit, ndërsa kërkoi nga BDI që nëse kanë prova t’i dorëzojnë ato. Kryeministri gjithashtu tha se ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të drejtpërdrejt me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit Jetësor.
“Absolutisht të gjithë ata që kanë çfarëdo prove për atë që pretendon BDI-ja, i ftoj të më kontaktojnë, numrin tim e dinë të gjithë. Sot, nesër, le të vijnë, nëse duhet, nëse duhet do të lë ndonjë takim për t’i parë ato prova dhe për t’i dorëzuar tek institucionet përkatëse. Përndryshe, më duhet ta paralajmëroj BDI-në se po vazhdojnë të hedhin pluhur dhe të merren me mjegull, një mjegull e mbushur me fjalën korrupsion, sepse kjo ishte emri i tyre i dytë në të kaluarën, kur atributi kryesor ishte Qendra Tregtare Soravia në Shkup, makinat Rolls-Royce të dasmorëve, hapësirat afariste të familjes së ish-nënkryetarit dhe shefit të kabinetit të Ahmeti, e kështu me radhë” theksoi Mickoski në konferencën e sotme për shtyp. /Nistori/