Mickoski kërkon përgjegjësi, por jo edhe deklasifikim!

    “Nuk është pyetje nëse do të deklasifikohen materialet, pyetja e vërtetë është si të parandalohen abuzimet dhe të mos përsëriten më. Kjo do të ndodhë vetëm kur të ketë përgjegjësi dhe përgjegjësi duhet të ketë”. Kështu ka theksuar kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në ceremoninë me rastin e Ditës së Pavarësisë. Thirrjet për deklasifikimin e dokumentacionit për përgjimet, Mickoski i sheh si frikë dhe panik të atyre që bëjnë thirrje për diçka të tillë dhe si një justifikim për të defokusuar opinionin publik.

    “Përgjimet dhe ndjekjet po bëhen që nga vitet e ’90-ta. Dhe nga e njëjta strukturë, pothuajse të njëjtët njerëz dhe operativë, të afërt me pushtetin e kaluar, ende operojnë me sistemin. Me hapa të tillë goditet mbi bazat e demokracisë, goditet mbi rendin kushtetues, ndërsa pasojat e një sistemi të tillë të deformuar jo vetëm që shkatërrojnë gjenerata njerëzish, por edhe e vënë në rrezik gjithë shtetin, duke ia servuar në pjatë sistemin e sigurisë. Goditje të tilla shkatërrojnë edhe fate njerëzish, shpesh duke shpikur situata, kontakte, duke shtuar gjëra që nuk ekzistojnë. Për këtë jam dëshmitar edhe unë personalisht, duke parë materialin që lidhet me mua, madje edhe me familjen time. Hajde për mua, por fëmijët?!”, theksoi Mickoski, duke shtuar se të gjitha materialet dhe njohuritë për ndjekjen e paligjshme janë dorëzuar në Prokurori, ai tha se do ta ndjekë këtë rast nga afër.

    “Të gjitha materialet nga institucionet dhe njohuritë për ndjekjen e paligjshme, të dyfishuara nga të dy agjencitë e sigurisë, janë dorëzuar në Prokurori. E dimë dobësinë e kapaciteteve të tyre dhe besimin e ulët ndaj tyre, por këtë rast do ta ndjekim nga afër dhe le ta dinë se kjo punë nuk do të fshihet nën tapet. Dhe kjo është çështje e mbijetesës së shtetit. Në periudhën që vjen do të zgjidhet kjo nyjë gordiane”, theksoi Mickoski.

    Sa i përket kërkesave për deklasifikimin e materialeve në Agjencinë për Siguri Kombëtare, Mickoski shtoi se “nuk është pyetje nëse do të deklasifikohen materialet – kjo është krejtësisht e parëndësishme dhe mbi këto gjëra shoh vetëm frikë dhe panikë tek ata që bëjnë thirrje për një gjë të tillë, dhe si një justifikim për të defokusuar nga dilemat e vërteta. E pa folur për faktin se me këtë shkatërrohet dhe zbulohet i tërë një sistem operativ”

    Përndryshe, më 29 gusht, u njoftua se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, e udhëhequr nga drejtori Bojan Hristovski, kishte paraqitur tre raporte në Zyrën e Prokurorit Publik në lidhje me një nga ish-drejtorët e saj, si dhe një grup punonjësish, për monitorimin e një udhëheqësi të opozitës dhe disa mediave nga viti 2019 deri në vitin 2024. Së fundmi, ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski, i ka mohuar pretendimet se Agjencia për Siguri Kombëtare në kohën e tij ka ndjekur dhe përgjuar kryeministrin Hristijan Mickoski, si lider i atëhershëm i opozitës. Dimovski në një intervistë për “360 shkallë” theksoi se nuk ka pasur qasje në dokumente dhe se ndoshta emri i Mickoski paraqitet në mënyrë indirekte në këto dokumente, përderisa është ndjekur një person i tretë i cili ka qenë në interes të shërbimeve.

    “Unë pohoj se nuk ka pasur asnjë dokumentacion që lidhet me përgjimin dhe ndjekjen e ish-liderit të opozitës, dhe nëse një gjë e tillë ekzistonte, nuk do të kishte nevojë për asgjë nga kjo që po ndodh, për këtë cirk në Parlament, ndoshta as për këtë emision që po e kemi, nëse do të kishin vendosur në mënyrë të thjeshtë të deklasifikonin dokumentacionin dhe ta publikojnë”, tha ish-drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski.

    Përndryshe kjo çështje është shndërruar për një javë të tërë si temë e përplasjeve politike te partitë më të mëdha maqedonase. Nga VMRO-DPMNE shprehen se LSDM ka pranuar se ka përgjuar kryeministrin Mickoski, si lider i atëhershëm i opozitës, ndërsa vlerësojnë se një fakt tjetër i cili duhet theksuar është se gjatë përndjekjes nuk kanë mundur ti gjejnë asgjë të kontestueshme.

    “LSDM pranoi dy gjëra. E para, se e kanë ndjekur dhe përgjuar Mickoskin. E dyta, se megjithëse e kishin ndjekur dhe përgjuar atë për 5 vjet, nuk kishin gjetur asgjë të diskutueshme ose të paligjshme, dhe nëse do të kishte pasur, do të kishin hapur një procedurë shumë kohë më parë”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

    Ndërkohë LSDM apelon për deklasifikim të dokumenteve. Sipas partisë opozitare fakti që pushteti me çdo kusht tenton të pengojë deklasifikimin e dokumentacionit, tregon qartë se ka frikë se zbulohet e vërteta në lidhje me komunikimin e Mickoskit me shërbimet e huaja të vendeve jo mike të Maqedonisë së Veriut.

    “A është e vërtetë që Mickoski, megjithëse nuk ishte shënjestër e mbikëqyrjes, hyri në komunikim me individë që synonin destabilizimin e shtetit dhe u financuan nga para të huaja? A përfundoi një pjesë e këtyre financave personalisht tek Hristijan Mickoski apo në kasafortat e Shtëpisë së Bardhë?”, pyesin nga LSDM.

    BDI ndërkohë e sheh si të qëllimshëm faktin që asnjë deputet i Frontit Evropian nuk është i pajisur me certifikatën e sigurisë, përfshirë këtu edhe deputetin Skender Rexhepi, i cili është kryesues i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje të punës së ASK-së dhe AZ-së. Megjithatë edhe BDI bën thirrje që të deklasifikohet dokumentacioni sa më parë të jetë e mundur. Pas disa shtyrjesh, seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së dhe Agjencisë së Zbulimit, e cila pritet të udhëhiqet nga deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, do të mbahet më 10 shtator. Po ashtu, për të njëjtën ditë është planifikuar edhe një vizitë mbikëqyrëse në ambientet e Agjencisë për Siguri Kombëtare. Paraprakisht, më 5 shtator ishte anuluar mbledhja e këtij komisioni me arsyetimin se është shkelur rregullorja e Parlamentit, pasi kryeparlamentari Afrim Gashi nuk ka kërkuar nga kryesuesi i këtij komisioni Skender Rexhepi thirrjen e mbledhjes. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    A duhet të kemi vërtet frikë se IA do të na marrë vendet e punës?

    Lajmi i rradhës

    Myftinia e Dibrës dhuroi parcelën për treg të ri, por menaxhimi nga komuna mbetet pezull

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë