Derisa unë jam kryeministër nuk do të ketë një gjë të tillë, kështu tha kryeministri Hristijan Mickoski për njoftimin e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti se në administratën shtetërore dhe publike brenda një viti do të punësohen mijëra shqiptarë.
“Një gjë e tillë nuk ka dhe nuk do të ketë derisa unë të jem kryetar i Qeverisë maqedonase. Do të punësohen dhe është mirë të punësohen njerëz që do të jenë kompetentë dhe që do t’i përgjigjen në mënyrë të duhur atyre punëve. Tani, ne nuk kemi nevojë të diskutojmë për çelësat partiakë, çelësat etnikë, e kemi thënë”, tha Mickoski.
Ai shtoi se pas shfuqizimit të “Balancuesit” do të bëjnë një ligj që të ketë përfaqësim të drejtë, etnik.
“Duke qenë se ‘Badenteri” është kategori kushtetuese, ne duhet të harmonizojmë legjislacionin në përputhje me kategorinë kushtetuese. Dikush mund të ulet dhe të bëjë lista, këtë nuk e përjashtoj, por përderisa unë jam kryeministër, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha Mickoski.