Gjykatës të ri me lidhje të vjetra!

    Gjykata Themelore Civile Shkup prej sot ka tetë gjykatës të rinj. Gjykatësit Kristian Mitrevski, Simona Bubevska Mucunski, Liljana Kostojçinoska, Dragan Petrushevski, Maja Katariniq, Andrea Malinoska, Pajtim Mashkulli dhe Jovanov Jordan, nënshkruan deklaratat solemne në Këshillin Gjyqësor.

    Deklaratë solemne më parë nënshkruan shtatë gjykatës në Gjykatën Themelore Penale Shkup. Mbeten edhe deklaratat e gjykatësve të sapozgjedhur në Gjykatat Themelore në Manastir, Strumicë dhe Tetovë.

    Në mesin e tyre janë, djemtë, vajzat, gratë apo familjarët e gjykatësve, prokurorëve dhe politikanëve, për të cilat publiku reagoi ashpër. Qytetarët pyesin se si do të kryejnë detyrën e tyre dhe sa do të jenë ata gjykatës objektivë, të shpejtë, efikas dhe do të respektojnë ligjet në emër të qytetarë apo do të “marrin radhën” dhe do të mbajnë anë në emër të partisë dhe elitave të biznesit! Derisa lidhjet e reja familjare kanë dalë në shesh ditëve të fundit.

    Në Gjykatën Penale, gjykatës do të jetë djali i prokurores Elizabeta Josifovska, Dragan Josifovski, vajza e prokurores Gordana Smaqovska, Biljana Smaqovska dhe djali i gjyqtarit të Supremit Naqe Georgiev, Kiril Georgiev. Gjykata në Shkup, bashkëshortja e kryetarit Timço Mutsunski, Simona Bubevska Mucunski do të gjykojë në Gragjanski dhe nusja e politikanes Cvetanka Ivanova, Biljana Ivanova në Gjykatën Themelore të Strumicës.

    Në fakt, një e pesta e të diplomuarve të gjeneratës së fundit në Akademinë e Gjykatësce dhe Prokurorëve janë “fëmijët e dikujt”, ndër prokurorët e rinj janë edhe emrat e bashkëshortes së kreut të Prokurorisë, Islam Abazi, Albulena Abazi si dhe djali i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Barlet Xhaferi, i cili para diplomimit i është nënshtruar provimit të jurisprudencës.

    Njohësit e çështjeve dhe ekspertët thonë se për të ndryshuar kjo metodë duhet të ndryshohet edhe mentaliteti te qytetarët. Derisa ata thonë se ndikimet partiake janë një njollë e madhe në sistemin gjyqësor të vendit tonë.  Avokati Amir Alispahiç, për gazetën KOHA, ka deklaruar se nepotizmi dhe vendosja e njerëzve familjar në pozita kyçe nuk është vetëm problem i gjyqësorit por problem i të gjithë sistemit në vendin tonë. Ai tha se para se të gjykojmë duhet t’ua japin shansin kolegëve dhe të gjithë të tjerëve, pasi të drejtën për punë e kanë të gjithë.

    “Akademia për pranimin e gjykatësve dhe prokurorëve, ka kritere të rrepta dhe aty bëhet selektimi i përmbushjes dhe mospërmbushjes së kushteve për t’u regjistruar në akademi. Të gjithë kandidatët kur të aplikojnë duhet t’i përmbushin kushtet dhe duhet të jenë të barabartë në garë. Shpresoj që në të ardhmen ta ngritin këtë çështje dhe ta trajtojnë seriozisht që të mos kemi gjyqtarë të zgjedhur në të ardhmen pa plotësimin e kushteve”, u shpreh Alispahiç.

    Ai tha se besimi i qytetarëve në gjyqësor rikthehet vetëm përmes profesionalizmit të të gjithë aktorëve, duke filluar nga politikanët dhe vazhduar me prokurorët dhe gjykatësit.

    Sipas anketës së fundit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, besojnë vetëm në dy për qind në gjyqësor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Si ta motivoni fëmijën për të shkuar në shkollë

    Lajmi i rradhës

    Migrimi po i zbraz shkollat në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë