Mijallkov ishte emri më i lakuar në instancat gjyqësore gjatë 2021-së – Viti 2022 e gjeti gjyqësorin kryesisht me raste pa epilog

    Viti 2022 e gjeti gjyqësorin kryesisht me raste pa epilog. Ish drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov ishte emri më i lakuar në instancat gjyqësore gjatë këtij 12 mujori.

    Në muajin shkurt, kur ishte detyruar të paraqitej në Prokurorinë për krim të organizuar mbi vendimin e gjykatës për paraburgim, Mijallkov u bë i pakapshëm. Opinioni krijoi përshtypjen se ishte arratisur, por pas agonisë institucionale 24 orëshe, Mijallkov u paraqit para organit të akuzës.

    Dy muaj më vonë u shpall fajtor për rastin “Thesari” dhe dënohet me 8 vite burg. Më 22 dhjetor me 11 milion euro garanci, Gjykata e Apelit i ndryshoi masën e paraburgimit në obligim me paraqitje. Prokuroria për krim të organizuar përsëri kërkoi paraburgim për lëndë tjetër ku ai është i akuzuar mbi bazën e vlerësimeve se ekziston rrezik për ndikim ndaj dëshmitarëve dhe posedon kontakte me shërbimet izraelite për t’u arratisur. Mijallkov mbetet në paraburgim.

    Në kuadër të faljeve grupore si çdo vit, Alsat kësaj radhe zbuloi skandalin e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për të falur biznesmenin Sead Koçan, të dënuarin për terrorizëm Aleksander Vasilevski (Ninxha) dhe të dënuarin për aksidentin i cili i morri jetën Almir Aliut nga Kumanova, Boban Iliq. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq u distancua nga kërkesa duke e tërhequr atë dhe vendosi që këtë vit të mos ketë falje grupore.

    “Nuk kemi të drejtë as ta ndryshojmë listën, por vetëm ta kthejmë mbrapa dhe atë e bëmë sot”, tha Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

    Presidenti, filtri i fundit i faljes nga i cili edhe varet vendimi ekskluziv nëse falet ose jo një i burgosur vlerësoi se lista ishte një gabim dhe se nuk do të falte persona të cilat me veprat e tyre kanë cenuar besimin ndaj institucioneve gjyqësore.

    “Rastet të cilat kanë nxitur reagime të ashpra në opinion ose raste të cilat kanë marrë dënime të merituara për veprat e bëra, as nuk arrijnë deri tek unë. Asnjëherë nuk kam falur persona që nuk meritojnë faljen”, u shoreh presidenti Stevo Pendarovski.

    Edhe gjatë vitit 2021 nuk u mbyll procedura gjyqësore për tragjedinë e “Durmo Turs”. Ndërkohë Gjykata Supreme pritet të vendosë nëse rasti “Lagja e Trimave” shkon ose jo në rigjykim.

    Lajmi Paraprak

    Fëmija i parë i lindur në vitin 2022 është djalë

    Lajmi i rradhës

    Gjatë natës së Vitit të Ri në Toksikologji janë pranuar 17 pacientë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë