Miliona nga buxheti i Kosovës për objektet e lëna pas dore në komunat me shumicë serbe

    Fotografia: Refki Alija (RFE/RL)

    “Investim i shkuar huq”, thotë Zvonko, një banor i Shtërpcës në jug të Kosovës, duke komentuar spitalin e papërfunduar në vendin ku jeton ai, si dhe njësitë e zbrazëta të banimit. Ndonëse në ndërtimin e këtyre objekteve, që nga viti 2012 janë investuar më shumë se katër milionë euro, spitali nuk është vënë asnjëherë në funksion dhe ndërtesat nuk kanë banorë.

    Shtërpca është një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, rreth 50 kilometra nga Prishtina. Në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, institucionet shëndetësore funksionojnë sipas sistemit serb, ndërkaq për ndërtimin e spitalit në Shtërpcë, paratë i ka dhënë Qeveria e Kosovës.

    Sipas Zvonkos, spitali është shumë i nevojshëm për banorët e Shtërpcës. Ai thekson se bashkëqytetarët e tij dërgohen për trajtim mjekësor në komunat tjera me shumicë serbe, në Graçanicë afër Prishtinës, apo në Mitrovicën e Veriut në veri të Kosovës, sepse në komunën e tyre nuk ka objekt të shëndetësisë sekondare.

    “Në vend që të lehtësohet jeta e qytetarëve, në vend që jetesa e qytetarëve të bëhet më e thjeshtë, më e lehtë dhe më e lirë, gjërat në terren bëhen të padurueshme”, thotë Zvonko për Radion Evropa e Lirë (REL).

    Raporti i auditorit: Objektet janë dëmtuar dhe demoluar

    Në raportin e saj për vitin 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit tregon se Komuna e Shtërpcës ka ndërtuar një spital në vlerë prej 1.6 milion eurosh, por që ende nuk është funksional, edhe pse pranimi teknik është bërë në tetor të vitit 2012.

    “Amortizimi i akumuluar i këtij objekti, deri në fund të vitit 2021 ka arritur vlerën prej 377.473 eurosh, ndërkaq vlera neto ka mbetur në 1,269,684 euro”, thuhet në raport.

    Për këtë spital në një kohë janë blerë edhe pajisjet dhe auditori tregon se vlera e përgjithshme e atyre pajisjeve mjekësor arrin në 1.8 milion euro. Këto pajisje ruhen në magazinë dhe nuk përdoren.

    Gjithashtu, bëhet me dije se në regjistrin e pronave komunale janë katër objekte banesore, të cilat janë ndërtuar për familjet me nevojë sociale dhe se në to janë investuar 2.709.075 euro.

    “Ndonëse ndërtesat kanë përfunduar më shumë se gjashtë vjet më parë, ato ende nuk mund të përdoren, nuk janë të pranuara teknikisht. Këto ndërtesa nuk i shfrytëzon askush, nuk kujdeset askush për to dhe nuk mirëmbahen. Nga vëzhgimi kemi vërejtur se këto objekte janë dëmtuar dhe demoluar”, thuhet në raportin e auditorit.

    Konstatohet se shkak për një gjë të tillë është “neglizhenca, papërgjegjshmëria e menaxhmentit dhe mungesa e kontrollit të brendshëm”.

    Një mur i dëmtuar në një nga ndërtesat e papërfunduara dhe të pabanuara në Shtërpcë.
    Një mur i dëmtuar në një nga ndërtesat e papërfunduara dhe të pabanuara në Shtërpcë.

    Më tej theksohet se autoritetet lokale në Shtërpcë janë të obliguara që të ndërmarrin masat e nevojshme për ruajtjen e pronës në territorin e asaj komune.

    “Duhet të merren masa urgjente që të krijohen parakushte që pajisjet që janë në magazina dhe ndërtesat me banesa për raste sociale, të vihen në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në raportin e auditorit.

    Përgjigjja e Komunës së Shtërpcës

    Nga Komuna e Shtërpcës, e cila udhëhiqet nga Dalibor Jevtiq nga radhët e Listës Serbe, parti kjo udhëheqëse e serbëve në Kosovë, thonë se autoritetet lokale janë duke punuar për funksionalizimin e spitalit “për faktin se vetë ndërtesa ka shumë dëmtime brenda dhe jashtë”.

    “Ka përfunduar faza e pastrimit të objektit, si dhe ndërrimi i dritareve/dyerve të thyera. Në periudhën në vijim do të punojmë për riparime të tjera për funksionalizimin e objektit, në mënyrë që në një fazë të mëvonshme spitali të përgatitet për hapje dhe funksionim. Synimi ynë është që kur të hapet spitali, ai të ofrojë shërbimet më të mira të kujdesit shëndetësor sekondar”, thonë në një përgjigje me shkrim për REL-in nga kabineti i kryetarit të Komunës së Shtërpcës.

    Megjithatë, nuk është marrë një përgjigje e saktë se pse është lejuar shkatërrimi objektit të spitalit dhe pse nuk është vënë në funksion dhjetë vjet më parë, kur ai u ndërtua.

    Dalibor Jevtiq e mori postin e kryetarit të Komunës së Shtërpcës pas zgjedhjeve lokale në fund të vitit 2021.

    Deri atëherë, Komuna e Shtërpcës, që nga themelimi i saj pas procesit të decentralizimit në Kosovë në vitin 2008/2009, është udhëhequr nga Bratislav Nikoliq, i cili u arrestua në një aksion të Policisë së Kosovës, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në dhjetorin e vitit të kaluar.

    Kur bëhet fjalë për njësitë banesore afër vetë spitalit, Komuna e Shtërpcës sqaron se pranimi teknik i objekteve nuk është bërë për shkak të mangësive dhe për shkak se kompania që ka kryer punimet ka falimentuar.

    “Për faktin se pranimi teknik nuk ka përfunduar, banesat nuk kanë mundur të ndahen, ndërkaq më vonë ka ndodhur vjedhja dhe shkatërrim i tyre, gjë që është raportuar edhe në Polici. Komuna e Shtërpcës planifikon që këtë çështje ta zgjidhë ligjërisht, por edhe në mënyrat tjera, me qëllim që banesat të ndahen”, thonë nga zyra e kryetarit të Komunës së Shtërpcës, duke shtuar se do të bashkëpunojnë me institucionet kompetente, në mënyrë që çështja të zgjidhet.

    Çështja është ngritur në Kuvendin Komunal

    Slavisha Vasileviq, këshilltar në Kuvendin Komunal të Shtërpcës, nga Iniciativa Qytetare “Liria e Shtërpcës” (Sloboda Shtërpce), thotë se në disa raste në mbledhjet lokale ka ngritur pyetjen e spitalit, do të thotë, pse ende nuk është vënë në funksion. Por, siç thotë ai, nuk ka marrë përgjigje konkrete.

    “I gjithë procesi është jotransparent, Komuna e Shtërpcës ka mjete për të punësuar një numër të caktuar të njerëzve në kujdesin sekondar shëndetësor. Unë nuk kam mundur të marr vesh pse spitali nuk është vënë në funksion deri më sot”, thotë Vasileviq.

    Ai, gjithashtu, thekson se ndërtesa e spitalit sot është në gjendje shumë të keqe.
    “Përveç kujdesit parësor shëndetësor, ne nuk kemi spital. Për intervenime pak më të mëdha mjekësore duhet të shkohet në Graçanicë. Ne kemi pasur të drejtë ta kemi atë spital dhe pritjet kanë qenë të mëdha”, shton Vasileviq.

    Situata e ngjashme në Graçanicë

    Rreth 10 vjet më parë filloi ndërtimi i spitalit modern në Graçanicë me mjetet e Qeverisë së Kosovës. Projekti parashikonte që spitali të shtrihej në shtatë mijë metra katrorë me 12 salla operative dhe një shesh helikopterësh, por deri më sot nuk ka përfunduar.

    REL-i kishte shkruar për këtë, në prill të vitit të kaluar, ndërkaq kryetari i atëhershëm, Sërgjan Popoviq, nuk mundi të specifikonte pse spitali nuk u përfundua kurrë, me arsyetimin se “e gjeti një gjendje të tillë”.

    Ai tha se autoritetet lokale do ta shndërrojnë atë objekt në hapësirë banimi, ndërkaq spitali do të ndërtohet “shumë shpejt” me mjetet e Qeverisë së Serbisë.

    Më pas, në postin e kryetares së Komunës së Graçanicës erdhi Lilana Shubariq, po ashtu nga radhët e Listës Serbe, por ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it se a është edhe më tutje në plan që spitali i papërfunduar të shndërrohet në njësi banimi dhe kur do të nisë ndërtimi i spitalit të ri.

    Spitali i papërfunduar në Graçanicë.
    Spitali i papërfunduar në Graçanicë.

    Në Graçanicë, shërbimi sekondar shëndetësor funksionon në kontejnerë llamarine që nga viti 1999, në të cilët, asokohe u zhvendos Qendra Spitalore Klinike (QSK) e atëhershme nga Prishtina.

    Në këtë institucion shëndetësor janë të shtruar pacientë nga territori i komunës së Graçanicës, por ka edhe pacientë nga komunat tjera në jug të lumit Ibër.

    Mjekët që punojnë në Qendrën Spitalore Klinike në Graçanicë në disa raste kanë theksuar gjendjen alarmante të kujdesit shëndetësor, gjegjësisht se nuk kanë mjete për të punuar dhe se pas disa vjetësh do të mbeten pa personel, ndërkaq pacientët shpesh janë të detyruar të bëjnë analiza në klinika private.

    Ndërkohë, vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2018 ka paralajmëruar ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë, me fonde të Qeverisë së Serbisë.

    Mirëpo, për gjithë këto vite, është siguruar vetëm trualli, mbi të cilin duhet të ndërtohet “së shpejti” spitali.

    Spitali në kontejnerë në Graçanicë.
    Spitali në kontejnerë në Graçanicë.

    Stojanoviq: Premtimet për ndërtimin e spitalit mbetën vetëm fjalë

    Ish-kryetari i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, beson se nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm, në dy dekadat e fundit, për të ndërtuar një spital dhe shpreh keqardhjen që ai vetë nuk e ka “shtyrë” përfundimin e projektit të ndërtimit të spitalit, për të cilin Qeveria e Kosovës ka ndarë para.

    “Gjithmonë ka pasur disa premtime se Qeveria e Serbisë apo dikush tjetër do ta ndërtojë atë spital. Fatkeqësisht, deri më sot, të gjitha ato premtime kanë mbetur vetëm fjalë dhe ne ende po trajtohemi në ata kontejnerë llamarine dhe jo në kushte adekuate”, thekson Stojanoviq.

    Branimir Stojanoviq u zgjodh kryetar i Graçanicës pas zgjedhjeve lokale të nëntorit të vitit 2013, por në dhjetor të vitit pasues u zgjodh zëvendëskryeministër i Kosovës.

    Sipas tij, ndërtimi i spitalit me fondet e Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë histori suksesi, sepse nuk ka pasur para të mjaftueshme dhe jo sepse dikush nuk ka dashur të përziejë sistemin kosovar me atë serb.

    “Më pas u përballëm me faktin se kishte dyshime për abuzime të rënda financiare. Ne kishim një projekt që ishte nën hetim për abuzime të mundshme. Ishte absolutisht e pamundur që në mënyrë të pavarur të realizohet deri në fund. Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga kjo dhe ajo ndërtesë mbeti në fazën që e bën objektin të pashfrytëzueshëm”, thotë Stojanoviq.

    Ndërtesa banimi të pabanuara në Graçanicë të ndërtuara në vitin 2019 për çiftet e reja të martuara, personat e zhvendosur dhe të varfër.
    Ndërtesa banimi të pabanuara në Graçanicë të ndërtuara në vitin 2019 për çiftet e reja të martuara, personat e zhvendosur dhe të varfër.

    Ai nuk e di nëse Graçanica do të ketë ndonjëherë spital sepse “ata që vendosin për një gjë të tillë, sot nuk mjekohen këtu”.

    Po ashtu, në Graçanicë ka edhe njësi banesore, të cilat janë ndërtuar në vitin 2019, por ende janë pa pronarë. Ato objekte u demoluan në disa raste dhe më pas autoritetet lokale e kompensuan dëmin.

    Konkursi për ndarjen e njësive të banimit, të destinuara për çiftet e reja të martuara, për personat e cenueshëm social dhe për të zhvendosurit, u shpall për herë të parë në tetor të vitit 2021, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.

    Më pas, në shkurt të këtij viti, kryesia e re lokale e anuloi atë konkurs pa një shpjegim specifik. Konkursi i ri për ndarjen e këtyre njësive banesore ende nuk është publikuar.

    Lajmi Paraprak

    Elon Musku paditet nga Twitter

    Lajmi i rradhës

    Drejtori i një shkolle në Maqedoni vjedh dokumentat natën dhe bën shkelje të tjera (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë